Arta Marku nuk shkon në parlament për të raportuar: Jam e sëmurë

Në seancën e sotme të Parlamentit ishte parashikuar që Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, të paraqitej për të bërë publike analizën vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme. Por burime nga prokuroria bëjnë me dije se pak orë përpara nisjes së seancës, Marku ka anulluar pjesëmarrjen e saj.

Kreu i organit të përgjithshëm të akuzës ka patur arsye shëndetësore për mos pjesëmarrjen e saj në seancë pasi ka dërguar edhe një raport mjekësor. Megjithatë bëhet me dije se ajo do të jetë e pranishme në seancën e të  enjtes për të relatuar përpara deputetëve analizën vjetore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka lajmëruar se sot në orën 13:00 do të zhvillohet mbledhja e radhës ku do të shqyrtohen dokumentat e dorëzuar nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm dhe dokumentat e dorëzuar nga institucionet përkatëse për verifikimin e kushteve ligjore të 4 emrave që garojnë.

Arta Marku është një nga 4 kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm dhe mungesa e saj sot në parlament përkon edhe me ditën kur ajo do të njihet me shqyrtimin që KLP do ti bëjë dosjes së dokumentave të saj.