“Zgjidhja me një moratorium nga Presidenti derisa të krijohet Gjykata Kushtetuese”

Nga Preç Zogaj

Dy sfidat kryesore të Shqipërisë, që partitë i artikulojnë si kauza dhe që kanë përcaktuar në lidhjen e tyre manipulimin sistematik të zgjedhjeve janë: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, sundimi dhe veprimi i ligjit në të gjithë piramidën e shtetit dhe shoqërisë. Për të dyja, parlamenti i Shqipërisë në bashkëpunim me SHBA dhe BE ka dhënë zgjidhjen ligjore sui generis, që është reforma në drejtësi.

Reforma është ende në kantier, por sipas njoftimeve nga KLP, ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm janë çështje javësh. KED, nga ana tjetër, ka dhënë lajme optimiste për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda kësaj vere. Ja të themi në shtator, duke qenë se gjithnjë dalin yçkla që shtyjnë shpalljet. Shpresën e madhe popullore te drejtësia e re në Shqipëri e ka mbajtur dhe e mban gjallë pikësëpari bashkautorësia amerikane në konceptimin dhe zbatimin e saj.

Angazhimi europian gjithashtu. Është e sigurt se drejtësia kësaj radhe nuk do të ketë vija të kuqe, deri këtu, më tej nuk lejohet. Koha e të paprekshmëve mbi ligjin pritet të përfundojë njëherë e mirë. SPAK ka në objektin e vet të hetimit vetëm kategorinë e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.

Në këtë mënyrë edhe akuzat e ndërsjella të politikanëve apo zotimet e tyre për të çuar në burg palën kundërshtare nuk do të jenë më kolona zanore e një teatri të stërzgjatur politik, por do të marrin verdiktin në gjykatë. Kjo do të jetë mirë, qoftë për akuzat e mbështetura në fakte për të cilat fajtorët do të dënohen, qoftë për akuzat në hava, nga të cilat viktimat do të pastrohen. Do të jetë mirë për raportin moral dhe etik të zyrtarëve të lartë të shtetit me detyrën. Do të jetë mirë për shëndoshjen e sistemit politik dhe vetë partive si pjesë e këtij sistemi.

Nuk kanë të numëruar ndryshimet për mirë që do të sjellë si në një reaksion zinxhir drejtësia e pavarur. Është dashur e duhet vetëm pak durim që mekanizmat e saj të ngrihen dhe të fillojnë të veprojnë.

Në këtë kontekst, pyetja që intrigon shumë prej vëzhguesve politikë që ndjekin e merren nga afër me dinamikat e zhvillimeve dhe konflikteve politike në Shqipëri është kjo: pse konflikti është më i madh e më i ashpër tani që zgjidhja ekziston dhe zbatimi i saj po afron? Pyetja është sa retorike, aq edhe e hapur për përgjigje të gjata në shumë rrafshe.

Ajo që bie në sy me një shikim të shpejtë të tranzicionit demokratik është se drejtuesit politikë të Shqipërisë, sa ç’janë kampionë të konfliktualitetit në Europë nesër u merret për bazë retorika, po aq janë kampionë të marrëveshjeve dhe të punuarit me njëri-tjetrin. E ilustron më së mirë këtë konstatim lista e gjatë e akteve “dashuri-urrejtje” mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, por edhe marrëveshjet Meta – Berisha, Rama – Basha e të tjerë. Kjo histori na thotë se nuk janë raportet e tyre me njëri-tjetrin ato që shpjegojnë ngërçin e paprecedentë të këtyre muajve. Në mes, përveç reformës që çon veprimin e ligjit në sferat e larta, janë partnerët amerikanë dhe europianë.

Si asnjëherë tjetër më parë. Këta partnerë inkurajojnë dialogun ndërpartiak për reformën zgjedhore dhe për çështje të tjera të funksionimit të demokracisë e shtetit ligjor, por nuk inkurajojnë marrëveshje që riciklojnë skemat e vjetra të sundimit të voluntarizmit politik mbi sundimin e ligjit. Për shkak të përfshirjes specifike në zbatimin e reformës në drejtësi, partnerët janë vendimtarë për drejtimin që marrin ngjarjet. Kjo është e reja. Është e thjeshtë të kuptohet nga gjithë qëndrimet e tyre.

Është fat për vendin që është kështu. Siç është një gjë e mirë, sipas meje, që opozita nuk kërkon marrëveshje të tipit të vjetër për të dalë nga situata. Por për të fituar në betejën e saj opozita duhet t’u bashkëngjisë kauzave të saj të drejta mjetet e drejta. Mjetet në demokraci janë më shumë se mjete. Mjetet e gabuara që nuk i përmban kodi i vlerave demokratike dëmtojnë vetë kauzat.

Paradoksalisht, në pamje të parë, zgjidhja ligjore nëpërmjet reformës në drejtësi e problemit të madh të pandëshkueshmërisë ka rritur tensionet politike dhe ka krijuar vakumet që ushqejnë krizën. Kriza dhe ngritja e institucioneve të drejtësisë së re kanë qenë në një garë me kohën prej më shumë se një viti. Disa herë e kam theksuar këtë në shkrimet e mia. Dhe ja ku jemi: mosplotësimi i Gjykatës Kushtetuese, për shembull, na ka lënë pa të vetmin institucion, para të cilit duam a nuk duam, heshtim të gjithë. Rëndësia e saj është bërë shumë më e madhe tani që nuk e kemi. Kjo, edhe sepse ata që nxjerrin ligje dhe akte janë frymëzuar ta lëshojnë pa duar, dikush për të shfrytëzuar vakumin, dikush për të marrë hak ndaj reformës.

Në këtë periudhë shumë delikate, kur Presidenti ka shfuqizuar datën e zgjedhjeve vendore pa caktuar një datë të re, është në apel si asnjëherë tjetër përgjegjësia e të gjitha palëve. Data e re ka sens nëse rivendos në afat pjesëmarrjen e partive të opozitës. Pa pjesëmarrjen e opozitës data e re do të ishte një stërzgjatje e krizës.

Nëse Presidenti nuk ka një datë të re, shumica e ka me detyrim të provojë të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit, pa marrë parasysh pengimin eventual të tyre, madje, pse jo, edhe duke ndjellë thellë-thellë këtë pengim.

Por ekzistojnë zgjidhje më të mira që shartojnë qasjen ligjore me qasjen politike në funksion të kapërcimit të krizës pa u kthyer prapa. Një zgjidhje e tillë mund të ishte marrja e nismës nga Presidenti për vendosjen e një moratoriumi me afat të arsyeshëm deri në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e plotë të organeve të drejtësisë së re. Afati i moratoriumit përkon me datën e zgjedhjeve që rivendos në afat pjesëmarrjen e deklaruar të opozitës në to dhe mbi këtë bazë angazhimin solemn të të gjitha partive për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që nga fusha e luftës politike janë hequr temat që ushqejnë konfliktin dhe drejtësia është në punën e saj, partitë kryesore dhe grupet parlamentare ndërmarrin përpjekjen për ndryshimin e sistemit zgjedhor, realizimin e reformës zgjedhore, caktimin e një afati për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Zhvillimet e reja dhe konteksti i tyre besoj se do ta shtrojnë si domosdoshmëri të gjithëpranuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri kujdestare.

Dikujt, në një krah dhe në një tjetër, mund t’i tingëllojë keq kjo zgjidhje. Por unë them atë që na kanë mësuar të parët tanë dhe kodet e sjelljeve fisnike: në çdo gjykim thika duhet mprehur në të dy krahët dhe nderi i palëve duhet ruajtur për sa kohë nuk e kanë humbur vetë./ Gazeta Liberale