Ministri i Jashtëm i Maqedonisë përsërit kërkesën: Na ndani nga Shqipëria

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov ka përsëritur sërish kërkesën, që fillimisht ka ardhur nga presidenti maqedonas, Stevo Perandovsku,  për ndarjen nga Shqipëria në rrugën e integrimit.

Duke folur për Tages Spiegel, ai tha se kancelarja Angela Merkel u ka premtuar se Gjermania do mbështesë nisjen e negociatave në fillim të vjeshtës.

“Qëllimi ynë është që të bashkohemi në fund të vitit me Serbinë dhe Malin e Zi”, tha ai.

I pyetur nëse ndihen peng i Shqipërisë, për shkak se ky vend ka probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar, kryediplomati maqedonas tha: “Do të ishte mirë për rajonin, nëse Shqipëria mund të merrte pjesë në procesin e negociatave të pranimit. Në të njëjtën kohë, procesi i pranimit mund të funksionojë vetëm nëse kandidatët gjykohen sipas meritave të tyre. Suksesi i një vendi në rajon është një nxitje për gjithë të tjerët. Në Ballkan ne kemi nevojë për një dinamikë pozitive dhe jo negative. Mosmarrëveshja e emrit me Greqinë ka humbur thuajse një gjeneratë nga koha jonë për rrugën drejt BE. Ne ishim në gjendje ta zgjidhnim problemin, të paktën pjesërisht, me forcat tona. Sidoqoftë, do të ishte shkatërruese për ne tani, nëse do bllokoheshim për shkak të problemeve të një vendi tjetër, pa ndonjë ndërhyrje”,- është shprehur Dimitrov.