“Bild” publikon nesër përgjime të reja, Duka: S’mund ta mbajnë Shqipërinë peng!

Kreu i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar pas lajmit se gazetari gjerman Peter Tiede do të publikojë ditën e nesërme përgjime të reja të dosjes 339/1.

Në një postim në Facebook, Duka shkruan se “Bild” do publikojë faktë të reja mbi atë çfarë opozita ka denoncuar ndër vite: lidhjen e mazhorancës me krimin.

“Pengmarrësit e demokracisë dhe të integrimit të vendit në BE nuk kanë për t’ia dalë!”, e mbyll postimin e tij Duka.

POSTIMI I PLOTË

Kur shohim fushatën donkishoteske të mazhorancës, me nënpunës të administratës dhe karrige bosh, pyesim veten se kundër cilit kundërshtar po luftojnë?! Në fakt në më shumë se gjysmën e bashkive skedat elektorale kanë vetëm një emër, ndërsa në pjesën tjetër përballen me kandidatë të caktuar po nga kjo mazhorancë. Atëherë, edhe pse nuk ka garë, edhe pse fjalimet nuk kanë asnjë përmbajtje programore por vetëm sulme ndaj opozitës, përgjigjia është e thjeshtë dhe vjen nga Gjermania. Nesër gazeta Bild publikon fakte të reja mbi çka ne kemi denoncuar ndër vite: lidhjen e mazhorancës me krimin. Ata e dinë që përballë këtyre fakteve nuk mund ta mbajnë Shqipërinë peng, dhe duan, në shkelje të Kushtetutës dhe dekretit të Presidentit, të marrin pa garë sa më shumë bashki për të mbrojtur pushtetin e tyre ilegjitim. Por, për sa kohë këtu ka qytetarë me sedër, nder dhe dashuri për vendin e tyre, kjo nuk do të ndodhë. Pengmarrësit e demokracisë dhe të integrimit të vendit në BE nuk kanë për t’ia dalë!