Basha në konferencë shtypi: Rama po nxit konfliktin dhe vëllavrasjen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Bashka ka dalë në një konferencë shtypi nga selia blu për të folur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Elbasanit, e cila la në burg dy kryetarët e PD në Librazhd dhe Përrenjas. Këto arrestime janë në serinë e arrestimeve të shumta ndaj drejtuesve dhe militantëve të PD, që po bën prej disa muajve pushteti i kryeministrit.

“Edi Rama po nxit konfliktin dhe vëllavrasjen. Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ua falë korrupsionin. Dua t’ju premtoj së shpejti do ta shoqëroni Ramën drejt drejtësisë. Nuk do e harrojmë e as nuk e do e falim”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se ky është vendim burracak i prokurorëve dhe gjyqtarëve të Edi Ramës, ndërsa tha se këto masa janë veprime që kanë për synim trembjen e opozitës së bashkuar. Basha theksoi se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas, por çdo ditë do të luftojë në çdo cep krimin e Edi Ramës.

“Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, të mbajë në burg Kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Prrenjasit zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku. Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama. Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës. Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama. Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës.

Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua ti drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij kriminal në qeveri:

Opozita nuk frikësohet. Opozita nuk trembet. Opozita nuk tërhiqet. Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuardo ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë. Dua t’ju drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit”- shtoi Basha.