A do njihen zgjedhjet lokale në 30 qershor? Meta jep përgjigjen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të gjatë për televizioni “Al Jazeera” është shprehur i bindur se formalisht nuk ka asnjë datë për zgjedhjet lokale.

Ai shtoi se i ka bërë thirrje të vazhdueshme politikës shqiptare që të reflektojë sa më shpejt për gjetjen e gjuhës së përbashkët me qëllim përmbushjen e standardeve demokratike dhe integrimin e vendit në strukturat europiane.

Kreu i Shtetit theksoi se në kushtet kur Shqipëria nuk ka funksionale Gjykatën Kushtetuese, vendimin i tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve nuk mund të interpretohet nga asnjë organ tjetër në vend. Presidenti Meta u pyet gjithashtu edhe për faktin se a do t’i njohë zgjedhjet nëse maxhoranca iu drejtohet kutive të votimit me 30 qershor, por ai nuk dha një përgjigje të prerë teksa shtoi se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.

Pjesë nga intervista:
Gazetari: Por a do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve nëse qeveria do t’i zhvillojë ato?

Presidenti Meta: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë.

Gazetari: Ka dy interpretime krejtësisht të ndryshme të Kushtetutës, për të cilat Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendoste. Por meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse gjyqtarët po i nënshtrohen procesit të vetting-ut etik…

Presidenti Meta: Është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin, siç e përmendet ju me të drejtë. Të gjithë e dinë se Presidenti i Republikës ka bërë çdo përpjekje prej kohësh për të shmangur një situatë të tillë, por kjo tani nuk ka më rëndësi. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim dhe jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis qeverisë dhe opozitës, si edhe duke iu dhënë të dyja palëve mundësinë për t’u qetësuar, për të reflektuar dhe për t’u ulur sa më parë në dialog për interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve. Veçanërisht, në këto ditë para vendimit shumë të rëndësishëm që do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Gazetari: Le të flasim pak për aspektin politik të brendshëm të dekretit tuaj. Siç thatë, ju keni shprehur nëpërmjet atij dekreti dëshirën për të shmangur kërcënime të sigurisë publike dhe për të shmangur kërcënime ndaj stabilitetit demokratik. U keni kërkuar të dyja palëve të ulen në tryezën e dialogut, por deri më tani Partia Socialiste nuk ka pranuar. Disa përfaqësues të partive të vogla opozitare janë takuar me ju dhe kjo duket si një shenjë e nisjes së dialogut, por nuk kemi asnjë tregues se do të përfshihet aktorët kryesorë. Qeveria e udhëhequr nga Partia Socialiste thotë se do të shkohet në zgjedhje, ndërsa opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila thotë diçka pak a shumë kriptike dhe nuk jep asnjë sinjal pajtimi, teksa lideri i opozitës zoti Basha u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë atë që çdo qytetar europian do të ishte i detyruar të bënte kur përballet me një “grusht shteti”. Kështu e ka përkufizuar ai qeverinë e Edi Ramës. A jeni i shqetësuar për faktin se dekreti juaj duket se nuk ka efektin e dëshiruar?

Presidenti Meta: Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve.Por unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.