Viola dhe Valentina, paqeruajtëset e para shqiptare në Sudanin e Jugut

Të diplomuara në profesione si inxhiniere kimiste apo avokate, të gjithë do të kishin menduar se Viola Hoxha dhe Valentina Korbi, do të qëndronin në Tiranë. Me gradën e kapitenes, majores dhe me përvojë të konsiderueshme në ushtrinë shqiptare, të dyja vajzat njihen si paqeruajtëset e para gra, të cilat shërbejnë pranë misionit të Kombeve të Bashkuara. ”Misioni ynë është të ndihmojë të tjerët duke lehtësuar vendosjen e kontakteve me gratë vendase, në mënyrë që ato të zhvillojnë kapacitetet e tyre dhe t’i bëjnë ato të dobishme për shoqërinë”, thonë Viola dhe Valentina.

Në lidhje me pyetjen se si ndiheni si ushtaret e para shqiptare në një operacion paqeruajtës të OKB-së, dy zonjat thonë “Gati”. “Nuk është e lehtë”,-thotë Valentina. “Organizata ushtarake ka angazhimet e veta. Duke qenë se jemi paqeruajtëset e para shqiptare të OKB-së, ne ndjehemi krenare”, shton ajo. “Është një mision, një detyrë e vështirë që ka shumë përgjegjësi”, thotë kapitenia Viola Hoxha, e cila tani ka një përvojë ushtarake 11-vjeçare.

“Ajo që më pëlqen më shumë është të ndihmoj të tjerët dhe detyra ime këtu në Sudanin e Jugut ka qenë një nga ëndrrat e mia pikërisht për të shërbyer dhe për të ndihmuar”, shton Viola. Ndërsa Valentina thotë se kur shihte babain e saj me uniformë ushtarake frymëzohej për t’u bërë pjesë e forcave të armatosura. Tani, është më shumë se kaq. “Unë duhet të theksoj se jam në këtë mision me dëshirë me synimin për të ofruar kontributin tim modest në përpjekjet për paqe në Sudanin e Jugut”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, ajo tregon se ushtria në familjen e saj është një vlerë dhe pjesë e pandalshme. “Unë kam shërbyer në ushtrinë shqiptare për 15 vjet si Këshilltare Ligjore pranë Forcave të Armatosura Shqiptare dhe ndonëse babai im ishte në ushtri, gëzimi për të pasur një mundësi për të shërbyer në vendin tim ishte motivimi im”, shpjegon ajo. ”Të zgjidhesh për të shërbyer në një operacion paqeruajtës të OKB-së është qershia mbi tortë”, thekson Valentina. Në Bor, dy gratë punojnë në njësinë e shërbimit sekret pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara. “Ka qenë një përvojë e vlefshme deri tani”,-thotë Valentina. “Dorëzimi i informatave të shërbimeve sekrete mbi situatën e sigurisë dhe të shërbimeve sekrete është pjesa më intriguese dhe e vlefshme”, shton ajo. ”E vlerësoj rëndësinë e misionit për qëllimin e tij por në të njëjtën kohë e konsideroj si një shtytje përpara për karrierën time profesionale”, thotë Valentina.

Dy paqeruajtëset i janë bashkuar operacioneve paqeruajtëse të OKB-së në një kohë kur përpjekja e Organizatës për përfshirjen e grave në misione paqeruajtëse është intensifikuar. Viola pranon se prania e grave në operacionet paqeruajtëse është thelbësore për shumë arsye. Fillimisht, ato lehtësojnë kontaktet me popullsinë lokale dhe fitojnë besimin e tyre. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit ndjehen më mirë duke folur me një grua. “Për shkak të ndjeshmërisë së tyre, durimit dhe njohjes së nevojave të të tjerëve, gratë kanë një rol të rëndësishëm në kontributin ndaj proceseve paqeruajtëse kombëtare”, thotë Valentina. Në vitin 1993, gratë përbënin vetëm 1% të personelit ushtarak të dislokuar. Njëzet e një vite më pas, gratë përbëjnë 3% të personelit ushtarak dhe 10% të personelit policor në misionet paqeruajtëse të OKB-së.