Vetingu shkarkon nga detyra kandidatin e parë të SPAK. Problemet që iu gjetën prokurorit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Dibrës, Shkëlzen Cena, i cili ishte i pari nga kandidatët e Strukturës së Posaçme Antiorrupsion, që doli para vetingut.

I hetuar në të tri kriteret e rivlerësimit, Cena rezultoi me probleme në kriterin e pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtinë e figurës. Kujtojmë se pas seancës dëgjimore në KPK, prokurori dha dorëheqjen edhe nga kandidimi për në SPAK.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 05.06.2019 për subjektin e rivlerësimit, z. Shkëlzen Cena, vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Shkëlzen Cena, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues, i kryesuar nga z. Lulzim Hamitaj, znj. Brunilda Bekteshi relatore, znj. Firdes Shuli anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, njoftoi KPK.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar rreth 1 javë në parë, prokurori mohoi gjetjet e KPK dhe kërkoi në fund konfirmimin në detyrë. Komisioni bëri të ditur se hetimi për Cenën fillimisht kishte përfunduar vetëm në kriterin e pasurisë, por me kërkesën e prokurorit, hetimet ishin rihapur sërish për të marrë dy dëshmi sa i takon një prej problematikave të ngritura për pasurinë e tij. E ndërsa KPK rihapi hetimin, duke marrë provat e kërkuara nga Cena, hetimi në dy kriteret e tjera, sipas raportit të Komisionit, kishte konstatuar problematika të tjera, për të cilat prokurori u ngarkua me barrën e provës.

PROBLEMET

Duke iu referuar KPK-së, në kriterin e pasurisë u evidentuan problematika kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale, për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë, për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata, si dhe mungesë burimesh financiare për disa vite. Nga hetimi, Komisioni tha se ishin evidentuar probleme edhe sa u përket disa hetimeve që kishte ndjekur prokurori, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij, po ashtu, pati një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasiv dhe se kishte kontakte të papërshtatshme.