Tregtia Kosovë-Shqipëri, Jaka: Qeveria të eliminojë sa më parë barrierat

Marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri duket se nuk janë në ditët më të mira. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka i bëri thirrje qeverisë të eliminojë sa më parë barrierat dhe burokracitë dhe të krijojë një ekonomi kombëtare. Sipas Jakës nëse nuk do merren masa  të menjëhershme kjo do dëmtojë eksportet shqiptare pasi edhe Kosova do të krijoj të njëjtat barriera.

Edhe pse eksportet drejt Kosovës kanë njohur një rritje të ndjeshme me rreth 52% gjatë 4 muajve të këtij viti barrierat po e vendosin në pikëpyetje bashkëpunimin ekonomik. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë Nikolin Jaka  i kërkoi qeverisë të reagojë sa më parë dhe të heqë barrierat që rrezikojnë  tregtinë midis dy vendeve.

Nikolin Jaka: Tani kërkojmë heqjen e terminalit, heqjen e skanimit, njohjen e certifikatave fitosanitare dhe zgjidhjen problematikave që kanë të bëjnë me shkëmbimit tregtare mes vendeve tona për produkte të ndryshme, të cilat cënojnë rëndë qarkullimin ekonomik ndërmjet vendeve tona. Ndërkohë që jemi shumë mbrapa me një ekonomi kombëtare, pra sepse ne duhet të kemi një plan kombëtar ekonomik, duke futur mundësisht edhe pjesën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Jakës nëse nuk merren masa sa më para Kosova do të vendosë të njëjtat tarifa ndaj biznesit shqiptar dhe kjo do dëmtonte eksportet.

Nikolin Jaka: Një ndër problemet më të mëdhaja sot në eksportet shqiptare është rënia e Euros. Ndërkohë nëse do të kemi edhe një problem tjetër me Kosovën për reciprocitet për problematikën që trajton Kosova do të thotë që eksportet shqiptare do të njohin tkurrje të ndjeshme, që do të vendos ndërmarrjet e vendit në vështirësi financiare.

Duke qenë se jemi në sezon turistik dhe peshën më të madhe në vend e mbajnë Kosovarët kreu i dhomës së tregtisë bëri apel për lehtësi qarkullimi.

Nikolin Jaka: Të përmirësojmë klimën dhe kushtet për të bërë ekonomi dhe qarkullim tregtar ndërmjet vendeve tona dhe të lehtësojmë maksimalisht qarkullimin e udhëtarëve në sezonin turistik, pse jo të heqim edhe traun midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Eksportet made in Albania kanë shënuar rënie në total por , tregtia  me Kosovën rezulton të jetë rritur me rreth 100 mln euro brenda katër viteve.