Shefi i Pentagonit për situatën me Iranin: Po punojmë për një konsensus ndërkombëtar

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, njoftoi se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të formojnë një “konsensus ndërkombëtar” në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ndaj dy anijeve çisternë në Gjirin e Omanit.

Zoti Shanahan u tha gazetarëve në Pentagon se Irani nuk është një problem vetëm i Shteteve të Bashkuara, por se tashmë ai është një problem ndërkombëtar.

Shefi i Pentagonit tha gjithashtu se për shkak të rëndësisë së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e karburantit të botës, ushtria amerikane po harton edhe plane veprimi në rast se përkeqësohet situata.

Dje ushtria amerikane qarkulloi filmime ku duket një anije ushtarake iraniane që i afrohet anijes çisternë japoneze për të tërhequr një minë detare të pashpërthyer.

​ Megjithë mohimet e Teheranit, Presidenti amerikan Donald Trump fajësoi dje Iranin për sulmet ndaj dy çisternave të naftës. Presidenti Trump i tha kanalit Fox News, se “Irani e ka bërë” këtë sulm dhe shtoi se përpjekjet e Iranit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit nuk do të dalin me sukses. Presidenti Trump i diskutoi sulmet edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili sapo pati vizituar Teheranin, në një përpjekje për të ulur tensionet.

I pari që akuzoi Iranin për sulmet ishte Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, i cili tha se ky konkluzion bazohet tek të dhënat e zbulimit, armët e përdorura, niveli i ekspertizës që duhet për të ekzekutuar një operacion të tillë, sulme të tjera të ngjashme të kryera nga Irani ndaj anije të mallrave, si dhe fakti që asnjë grup tjetër në rajon nuk ka burimet dhe zotësinë të veprojë me një nivel kaq të lartë sofistikimi”.