Rama do kërkojë edhe shkarkimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut!

Kryeministri Edi Rama, deputetë dhe drejtues të Partisë Socialiste duket se kanë humbur çdo sens realiteti. Kulmi i marrëzive të Ramës dhe PS ka arritur sot me një sulm të paprecedentë ndaj kreut të shtetit të një vendi tjetër. Bëhet fjalë për presidentin e ri të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, i cili një ditë më parë tha se: “Integrimi i Maqedonisë së Veriut nuk mund të varet nga Shqipëria, pasi në Tiranë ka një krizë politike” dhe “BE-ja nuk duhet të japë vlerësim të njëjtë për dy vendet dhe në duhet të na ndajë nga Shqipëria”.

Kaq ka mjaftuar dhe Rilindja ka reaguar me të njëjtën logjikë që sulmon Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Kryeministri Rama, si hazërxhevap që është, postoi në Twitter që mund të quhet edhe incident diplomatik, pasi i tërhiqte vëmendjen presidentit të një vendi tjetër.

Por çudirat nuk kanë fund. Reagimi jo normal ka vijuar edhe më tej, kur zyrtarë të lartë të PS e kanë quajtur deklaratën e Presidenti të Maqedonisë së Veriut, një gafë të pafalshme. Sekretari i PS, Alfred Peza e cilëson “gabim fatal” qëndrimin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Si shqiptar sigurisht që deklarata e Stevo Pendarovski nuk na lë shije të mirë, por në qëndrimin e tij nuk ka as fyerje, as sulme ndaj qeverisë së Tiranës dhe as etiketime ndaj shqiptarëve. Mbi të gjitha Stevo Pendarovski në procesin e integrimit nuk ka asnjë rol vendimmarrës.

Ajo që ngjan jo normale për diplomacinë serioze që ka pasur Tirana deri më sot është sulmi në bllok ndaj presidentit të një vendi tjetër. Nga ajo që thotë Edi Rama dhe më pas Alfred Peza, ka mbetur vetëm që Ulsi Manja dhe Taulant Balla të nisin procedurën për shkarkimin e Presidentit të Maqedonisë.

Edhe pse ngjan si humor, nuk duket edhe aq për të qeshur. Nëse shihni reagimet në rrjetet sociale, Elisa Spiropali ka mundësi të akuzojë Stevo Pendarovski për shkelje të Kushtetutës dhe për “akt brutal i Presidentit ndaj Parlamentit të ligjshëm shqiptarë”. Nuk është çudi ta bëjnë, sepse shumica e tyre as e njohin Kushtetutën e Shqipërisë dhe jo më pak raportet ndërkombëtare mes shteteve.

Pritet një deklaratë e Elisa Spiropalit ku do të dërmojë Presidentin e Maqedonisë së Veriut!

Sherri me Stevo Pendarovskin është një rast djallëzor që Rama të tërheq vëmendjen e shqiptarëve nga problemet alarmante që ka sot në Shqipëri, ku po shkohet drejt përplasjes fatale me 30 qershor.

Kryeministri shqiptar Rama të rregullojë problemet këtu në Tiranë dhe të mos jap leksione Shkupit.