Poliçan, Manastirliu u shërben drekën të moshuarve: Më shumë kujdesje

Në Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shërbyer drekën për të moshuarit e Qendrës Polivalente në Poliçan nga ku ka përcjellë një mesazh për t’u kujdesur më shumë për gjyshërit.

“Kemi detyrimin dhe përgjegjësinë për t’u kujdesur sa më mirë për gjyshërit për kontributin që kanë dhënë në shoqëri, pikërisht për ata që kanë më shumë nevojë. Ndaj siç investuam në Shtëpinë e të Moshuarve Shkodër, së shpejti hapet Shtëpia e të Moshuarve në Palasë, do të investojmë në të gjithë rrjetin e institucioneve të përkujdesit për të moshuarit pa përkrahje në të gjithë vendin”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Kurse përmes një postimi në facebook, ministrja shkruan se: ”Të presin me plot fjalë të ëmbla që vetëm gjyshet dhe gjyshërit dinë t’i thonë. Me të moshuarit e Qendrës Polivalente në Poliçan, që vështirësitë e jetës nuk ua kanë mundur mirësinë! Faleminderit stafit për kujdesin. Le ti rikthehemi traditave tona të mira sepse gjyshërit duan dashuri”. Në 6 qendrat rezidenciale për të moshuar në të gjithë vendin ofrohen shërbime socio-shëndetësore për 322 të moshuar. Ndërkohë shërbime për të moshuarit ofrohen edhe në 2 qendrat ditore për 75 të moshuar.

Në kuadër të reformimit të sistemit të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe me miratimin e standardeve të shërbimit të asistencës shtëpiake për të moshuarit, është hedhur një hap i rëndësishëm për rritjen e kujdesit social për këtë kategori. Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po orientohen drejt deinstitucionalizimit, duke forcuar shërbimet komunitare në bashki, në mënyrë që të rritet cilësia e jetës për moshën e tretë dhe integrimin e tyre social.