Ndryshime?

JAN JANSEN 

Kohët e fundit, në Shqipëri ka pasur shumë protesta. Për fat të mirë, ajo e fundit ishte paqësore. Nëse protestuesit përdorin dhunë, mbështetje ndërkombëtare absolutisht nuk do të ketë. Ka analistë që thonë se qeveria Rama do të rrëzohet dhe se për këtë duhet të vazhdohet me protesta. Por pyetja që shtroj është: çfarë do të ndodhë pasi të rrëzohet qeveria Rama? Alternativë? Tani duket se opozita dominohet nga Partia Demokratike (PD). E vërteta është se gjatë dekadave të fundit, skena politike është dominuar gjithmonë nga Partia Socialiste… (PS) dhe PD. Qeveria e PDsë i ka zënë vendin qeverisë së PS-së dhe e kundërta; me një ose me shumë aleatë. Prandaj, situata e sotme në Shqipëri është përgjegjësi e të dyja partive. Kjo më bën të mendoj se një ndryshim qeverie pa një ndryshim radikal, nuk do të jetë zgjidhje. Në fillim do të ketë pak qetësi dhe mbas një viti do të fillojnë trazirat nga e para. Dhe sa më të shpeshta këto, aq më i shpejtë do të jetë ritmi e ndryshimeve të qeverive. Deri në momentin kur populli nuk do të durojë më dhe do të ndodhë diçka si në 1997, që përfundoi me disa mijëra të vrarë.

CILI ËSHTË PROBLEMI?

Kam punuar profesionalisht si udhëheqës ndryshimesh në organizata publike jofitimprurëse, por edhe fitimprurëse. Nga përvoja mund të them se faktori kyç për një zhvillim pozitiv është ndryshimi i sjelljes. Dhe kjo është një gjë shumë e vështirë për njerëzit. Edhe ndryshime relativisht të thjeshta brenda një kompanie kanë nevojë për ushtrim dhe stërvitje praktike; për një lloj deprogramimi dhe pastaj një lloj riprogramimi. Një shembull ndërkombëtar është deprogramimi dhe riprogramimi i fëmijëve ushtarë. Ka lindur nevoja për një shoqërim disavjeçar, deri ndoshta në 5 vjet.

Në Shqipëri nuk ka pasur një program të tillë me funksionarët e kohës së diktaturës. Si rrjedhim, ata ndoshta kanë ndryshuar parti, por në asnjë mënyrë nuk kanë ndryshuar sjellje! Kjo ka bërë që sistemi i diktaturës (në sjelljen e liderëve) të vazhdojë ende. Kanë ndryshuar ngjyrat, por jo mënyra e qeverisjes. Madje, edhe më keq, tani ata kanë mësuar se për ndryshimin e sistemeve nuk nevojitet një ndryshim në sjellje. D.m.th., sjellja e tyre është forcuar edhe më!!

Ç’DUHET BËRË?

Në Shqipëri nuk ka pasur pastrim në fushën publike (politike dhe administratë). Kjo është ende për t’u bërë. Nuk e besoj se mund të ndryshojë sjellja e figurave të vjetra ose të sistemit të vjetër. Do të kishte nevojë për një program aq masiv, se nuk e besoj se do të kishte sukses. Atëherë duhet një zgjidhje tjetër.

Për mendimin tim, duhet të ketë një pastrim radikal dhe të menjëhershëm. Të gjithë njerëzit që kanë pasur një funksion në Partinë e Punës së Shqipërisë, në fushën politike ose administrative përpara 1/1/1992, duhet të mënjanohen definitivisht nga skena publike, të shkarkohen dhe nuk mund të kenë mundësi më për një funksion brenda jetës politike ose administrative. E njëjta duhet bërë për njerëzit që kanë bërë korrupsion.

SHANSI

Ky do të ishte shansi i madh për rininë shqiptare, që ka pritur një kohë kaq të gjatë. Sipas të dhënave, ata nuk kanë më shpresë në Shqipëri dhe kërkojnë një rrugë jashtë vendit. Me një ndryshim kaq radikal, siç e përshkrova, mendoj se ata do të qëndronin në Shqipëri dhe do të punonin me entuziazëm për një të ardhme më të mirë të vendit.

SI MUND TA BËHET KJO?

Nuk ka ligj që e rregullon një ndryshim të tillë dhe jam i bindur se nuk do të ketë, sepse ata viganët, dinozaurët e palëvizshëm nuk do ta rregullojnë. E vetmja mënyrë është që ndryshimi të detyrohet me protesta. Protesta të organizuara me sloganin: “Jo kuadrot” e sistemit të diktaturës si dhe “Jo kuadrot” e korrupsioni. Të gjitha partitë duhet të detyrohen të pastrojnë veten në mënyrën vullnetare dhe të deklarojnë se ato po punojnë me vullnetin e tyre për pastrimin. Dhe, për transparencë, duhet të botohen listat e kandidatëve e tyre. Nëse ato nuk bëjnë, nuk duhen votuar.

Ndryshimet më të mëdha fillojnë me një ide, ideja përhapet dhe përqafohet dhe më në fund realizohet. Unë bëj thirrje që rinia shqiptare ta realizojë një pastrim të tillë të jetës politike! Përndryshe, vendi do të mbetet në të njëjtën situatë edhe mbas zgjedhjeve, dhe njerëzit do të jenë edhe më të zhgënjyer, me të gjitha efektet që do të sjellë ky zhgënjim!