“Avengers” në video lojë – Çmenden fansat, stisin intervista pune për t`u futur te zyrat e studios prodhuese

“Marvel” ka pasur pa diskutim një sukses të jashtëzakonshëm me “Avengers: Endgame” këtë vit, duke thyer rekorde të njëpasnjëshme në kinema.

Për javë të tëra, filmi u kthye në fenomenin e momentit. Shtëpia kinematografike kërkon që të mos e lërë me kaq suksesin dhe të futet në një univers tjetër, atë të lojërave. Paçka se loja ishte lajmëruar që në 2017, projekti u duk se ishte braktisur.

“Marvel” kërkon medoemos që ta përsërisë suksesin që pati nëpër kinematë e botës në universin e lojërave virtuale. Tashmë kanë dalë disa sekuenca se si do të duket loja dhe fansat kanë janë futur në botën e re. “Avengers”, loja, është kthyer në realitet nga Crystal Dynamics dhe drejtuesi i saj, Scot Amos.

Në një intervistë për Reuters ai tregoi madje se fansat e “Avengers” janë aq të fiksuar sa disa prej tyre kanë dhënë intervista pune të stisura vetëm që të futeshin nëpër zyrat e studios dhe të merrnin vesh ndonjë detaj. Pavarësisht kësaj, studio e prodhimit të lojës ka arritur ta mbajë hermetike. Heronjtë e “Avengers” duken ndryshe  nga filmi në video lojë, pasi ata luhen nga aktorë të ndryshëm.