Si të aplikoni për strehim social? – Miratohen procedurat dhe afatet e reja për kategoritë përfituese

Qeveria ka miratuar procedurën dhe afate të reja për individët në nevojë që kanë interes të përfitojnë nga programet e strehimit social. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave këtë të drejtë e ka çdo individ mbi moshën 18 vjeç, apo kujdestarët ligjorë në rastet e të miturve.  Aplikimi dhe përzgjedhja e familjeve apo individëve do të bëhet në dy faza dhe e gjithë procedura do të ndiqet nga organet e vetëqeverisjes vendore ku janë të regjistruar.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet emergjente për strehim, që kanë të bëjnë kryesisht me fatkeqësi natyrore. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social, ndërsa në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave. Në qoftë se kërkesa e aplikantit ka të meta dhe mangësi të të dhënave të kërkuara nga ky vendim, struktura përgjegjëse për strehimin, brenda 7  ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon me shkrim aplikantit të korrigjojë pasaktësitë, duke përcaktuar edhe afatin e nevojshëm për plotësimin e tyre.

Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren, duke marrë dhe masat e nevojshme.

/ SCAN