Shpejtësia e internetit – Vendosen detyrime transparence për operatorët

Operatorët e shërbimit të internetit me linja fikse i emërtojnë dhe i reklamojnë paketat e tyre mbështetur në shpejtësinë maksimale të lidhjes.

Por, fakt është se shpejtësia e reklamuar nuk i ofrohet abonentëve gjatë gjithë kohës;  shpeshherë, shpejtësia e lidhjes është ndjeshëm më e ulët, sidomos në oraret e pikut, ku përdorimi i rrjetit të operatorit shtohet. Për të kufizuar spekulimet nga ana e operatorëve të rrjeteve fikse, ata së shpejti do të jenë të detyruar të përcaktojnë shprehimisht në kontratat e pajtimit edhe shpejtësinë minimale të internetit që abonenti do të përfitojë.

Në projekt rregulloren për mbrojtjen e përdoruesve të komunikimeve elektronike, AKEP ka përcaktuar se shpejtësia minimale për paketat e aksesit në internet me brez të gjerë nuk duhet të jetë më e vogël se 70% e shpejtësisë së reklamuar, ose sa shpejtësia maksimale e paketës më të afërt në radhë, me shpejtësi më të ulët.

Sipas të dhënave nga AKEP, shpejtësia mesatare e aksesit në internet nga linjat fikse në Shqipëri është relativisht e ulët, në raport me mesataren botërore. Në fund të vitit të kaluar, rreth 62% e abonentëve kishin një shpejtësi lidhjeje në intervalin mes 4 dhe 10 Mbps. Por, këto të dhëna i referohet shpejtësisë maksimale të lidhjes, ndërsa shpejtësia reale zakonisht është më e ulët.

Sipas të dhënave të muajit prill 2019 nga portali speedtest.net, shpejtësia mesatare e internetit me linja fikse në nivel global ishte afërsisht 59 Mbps.

Kushte shtesë për transparencën do të kenë edhe operatorët e komunikimeve celulare. Ata do të kenë detyrim që në publikimet dhe reklamat e tyre të tregojnë në mënyrë të qartë që shpejtësitë maksimale të reklamuara janë të mundshme vetëm në kushte të caktuara. Teksti i shënimit sqarues duhet të jetë me madhësi dhe stil të njëjtë me atë që tregon shpejtësinë maksimale të reklamuar.