Prokurori i “Dosjes 339” kalon vettingun

Ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e ‘dosjes 339’, Vladimir Marën, i cili është gjithashtu kandidat për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion.

Mara iu nënshtrua dy ditë më parë kontrollit të vettingut për tre kriteret pasuri, figurë e profesionalizëm, në të cilat rezultoi pa probleme dhe i përshtashëm për të vijuar detyrën e prokurorit.

Gjatë kontrollit Mara është pyetur  për përdorimin për gati 2 vjet të një makine me targa britanike e sjellë nga Anglia përmes një kushëriri të tij.

Mara, i cili është gjithashtu një nga prokurorët e dosjes Tahiri u shpreh se kishte një akt përdorimi për mjetin dhe se e kishte përdorur vetëm për pak muaj për shkak se kishte timon të stilit anglez.

Gjithashtu u soll në vëmendje edhe polemika e ekstradimit të Nezar Seitajt, një prej të pandehurve të dosjes “Habilaj”.

Lidhur me këtë çështje Prokurori Mara sqaroi se në dosjen e gjykatës që vendosi ekstradimin e tij ndodhej vendimi për caktimin e një mase sigurie nga Krimet e Rënda, vendim për të cilin kishin dijeni edhe burgjet.

Gjithashtu në detyrë nga KPK është konfirmuar edhe drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit Enkelejda Millonai.

Millonai e cila është njëkohësisht edhe kandidate për SPAK, doli dje në një seancë dëgjimore përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ajo është vlerësuar në 43 kriteret e përcaktuara nga vettingu. Sipas raportit nga ILDKPKI, deklarimi i bërë nga Enkelejda Millonai ka qenë i saktë dhe më burime të ligjshme që justifikojnë pasurinë si dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit është cilësuar e përshtatshme për të vijuar detyrën.