Pendarovski: Na ndani nga Shqipëria

Maqedonia e Veriut kërkon që hapja e negociatave me Bashkimin Europian të ndodhë para vjeshtës, dhe të mos kushtëzohet me vendimin për Shqipërinë.

Presidenti, Stevo Pendarovski, në një intervistë për Euroactiv tha të premten se rastet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut duhen trajtuar ndarazi, pasi problemet në Tiranë janë më serioze se në Shkup.

Pendarovski: “Kemi bërë detyrat që na janë kërkuar, kemi firmosur edhe mrekullinë politike që ishte marrëveshja me Greqinë. Nuk ka politikan në Europë të na thotë se nuk i meritojmë negociatat. Kurse Shqipëria përballet me një kaos të vërtetë. Opozita ka dalë nga institucionet dhe situata sa vjen e tensionohet. Pra si mund të krahasohemi?”

Kreu 56-vjeçar i sapozgjedhur i shtetit citon kancelaren gjermane Angela Merkel që ka thënë se negociatat me dy vendet mund të hapen njëkohësisht në fund të shtatorit.

Sipas Pendarovskit, ky afat i vonuar mund të ketë pasoja gjeopolitike si rezultat i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit.

Pendarovski:“Zgjedhjet e parakohshme që Greqia mban më 7 korrik mund të sjellin në pushtet opozitën. Dihet pozicioni i tyre për marrëveshjen e Prespës sikurse qëndrimet e ngurta për anëtarësimin tonë në BE. Pastaj kemi edhe nacionalistët në Bullgari. Pra çdo shtyrje e datës së negociatave mund të dëmtojë forcat proeuropiane në rajon, por edhe vendet që janë në negociata e sipër.”

Edhe kreu i qeverisë maqedonase ka paralajmëruar për destabilitet dhe riformatim apo rënie të qeverisë nëse data e negociatave nuk jepet brenda muajit të ardhshëm.