Nga Hysaj te Icardi, ja si ndryshon formacioni i Juves me Sarrin

Juventusi shkarkoi trajnerin Massimiliano Allegri dy javë para fundit të sezonit, jo për faktin se ai nuk ishte trajner fitues, por për shkak të lojës së tij, e orientuar dukshëm në fazën mbrojtëse. Synimi kryesor i drejtuesve ishte që të gjenin një strateg fitues, ku dy ishin kandidatët Pep Guardiola dhe Maurizio Sarri. Dy trajner të të njëjtit stil, por të ndryshëm në aspektin e marketingut. Bardhezinjtë arritën që të bindnin strategun e Napolit, i cili do të vendoset në krye të ekipit në sezonin e ardhshëm me synimin për të zhvilluar një futboll të bukur.

 

Image result for hysaj juventus

Në portë do të rikonfirmohet Szczesny, i cili nuk ka rivalë në këtë rol, pas një sezoni shumë të mirë, ku ishte protagonist në shumë ndeshje me pritje fantastike. Në mbrojtje, surpriza e madhe do të jetë padyshim Elseid Hysaj. Mbrojtësi i kombëtares sonë ka një lidhje të ngushtë me ish-strategun e Napolit, teksa këtë verë mund të ndodhë ribashkimi mes tyre në Torino. Largimi i mundshëm i Cancelos, mund të hapte rrugën e një transferimi të mundshëm të shkodranit. Më pas në repartin difensiv ka pak ndryshime, teksa Bonucci, Chiellini dhe Alex Sandro pritet që të jenë titullarë. Demiral dhe Romero do të jenë alternativa shumë të mira.

Në mesfushë ëndrra e madhe është padyshim rikthimi i Paul Pogba, i cili garanton muskuj dhe kualitet. Tratativat me Manchester United kanë nisur prej ditësh, ndërkohë që alternativa do të jetë Milinkovic-Savic. Pjanic si gjithmonë do të jetë në regji, duke luajtur një rol të ngjashëm me Jorginhon. Ramsey, i afruar këtë verë, pritet që të jetë titullar në skemën 4-2-3-1, pasi mund të përshtatet në disa role në mesin e fushëës, një aftësi që ja bën më të thjeshtë zgjedhjet trajnerit Sarri.

Në sulm, Chiesa është një nga blerjet më të spikatur. Akordi me sulmuesin e Fiorentinës është arritur prej disa ditësh, ndërkohë që duhet bindur edhe skuadra vjollc për a lënë të lirë. Shpejtësia e tij në krahë mund të jetë një armë plus, ndërkohë që në krahun tjetër Ronaldo, e ka vendin e sigurt në krahun e majtë. Ylli portugez, mund të ndryshojë shpesh herë pozicion gjatë ndeshjes me Mauro Icardin. Sulmuesi argjentinas pëlqehet shumë nga Sarri, teksa nuk mund të përjashtohet mundësia që në ditët në vijim, ekipi torinez të paraqesë një ofertë zyrtare te zikaltërit. Dybala dhe Bernandeschi janë alternativa shumë të mira, duke ndërtuar një skuadër shumë solide dhe me një lojë më argëtuese se me Allegri. /Rozalb Lika-Koha Jone/