Alibaba do listohet në Hong Kong – Pritet të gjenerojë $20 mld, që i duhen për investimet në teknologji

Gjiganti i tregtisë në rrjet, Alibaba, ka aplikuar për t’u listuar në bursën e Hong Kongut,  që sipas burimeve mund të ndodhë në tremujorin e tretë të këtij viti. Listimi mund të gjenerojë rreth 20 miliardë dollarë, që është shifër më e vogël se $25 miliardë që preku në listimin e New Yorkut 5 vite më parë. Në atë kohë,  themeluesi i kompanisë, Jack Ma,  shprehu dëshirën për t’u listuar në  Hong Kong,  por struktura e manaxhimit të firmës binte ndesh me rregullat e bursës atje.

Bursa e Hong Kongut ka ndryshuar që prej atëherë rregullat e listimit, kryesisht për të tërhequr startup-et kineze të teknologjisë. Kjo do t’i jepte Alibaba fondet që i nevojiten për investimet në teknologji,  që përbën një prioritet për Kinën, ndërkohë që ekonomia po ngadalësohet dhe lufta tregtare po merr vrull.  “China International Capital” dhe “Credit Suisse” janë bankat e investimeve që po drejtojnë marrëveshjen, sipas burimeve të raportuara fillimisht nga Bloomberg.

Aplikimi vjen paralelisht me rritjen e tensioneve politike në Hong Kong këtë javë,  që shtoi shqetësimet mbi ndikimin në bizneset dhe tregjet e vendit.  Që prej listimit në SHBA, Alibaba është thuajse dyfishuar në përmasë dhe është kthyer në kompaninë më të madhe kineze të listuar në bursë, me një vlerë totale në treg prej mbi 400 miliardë dollarë. Listimi në Hong Kong, do t’i jepte shansin investitorëve kinezë që të kenë akses direkt në një prej historive më të suksesshme të vendit, nëpërmjet platformës së lidhjes së tregtimit të aksioneve mes Hong Kongut, Shangait dhe Shenzenit.