Zbrisni nga kali, nga Kulla e Barit nga tanksi dhe konkurroni si këmbësorë

Nga: Artan Fuga

Për të bërë zgjedhje të lira, të barabarta, të ndershme! Por zgjedhjet duhen bërë shpesh! Cdo gjashtë muaj nëse ka krizë? Përse jo! Referendume ku sovrani të vendosi! Cfarë i gjeti grekët, italianët, spanjollët etj. që i kanë bërë sa herë politikanët kanë kërkuar t’a lidhin nyjen komb! Janë të kushtueshme? Gënjeshtër! Kombi po sfilitet duke debatuar e u tensionuar më keq kështu! Eshtë më efikase kjo që na ndodh? Për turp të zotit! Te heqësh dorë nga posti për të shkuar në zgjedhje? E kush politikan i ndershëm, i zakonshëm, që shërben nuk do ta bënte! Madje duhet vënë rregull për të gjitha zgjedhjet e ardhshme! Madje për cdo post! Lëre postin që ke për fazën tranzitore të zgjedhjeve, dhe nëse kërkon mandat të dytë vihu në radhë si të gjithë të tjerët! Qofsh rektor, kryetar bashkie, deputet, kryeministër, president!

Lërini kërcënimet idiote! A themi se jemi më të mirët e atyre që janë në garë? Bëni pra garë të barabartë jo nga maja e kalit! A themi se pala tjetër është e keqe, e korruptuar, dhe populli nuk e do? Bëni pra garë të ndershme, pa privilegje dhe jo hypur te Kulla e Barit! A themi se zgjedhjet i fitojmë pa përdorur pushtetin, shtetin, administratën, tenderat, a dreqin dhe të birin! Hajde pra heqim të gjitha privilegjet e pushtetit dhe i fitojmë pastër zgjedhjet përderisa e dimë që populli është me ne!

Të iki edhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës nga pushteti, edhe i Tiranës, edhe i Durrësit, edhe i Lezhës, edhe i Corrovodës, edhe i Peqinit, dhe poqese duan mandat të dytë të kandidojnë më këmbë, duke i zbritur kalit! Zbritini kalit, gomarit, a lopës! Se ne qytetarëve na e keni sjellë në majë të hundës! Na keni prishur rrjedhën normale të jetës! Na keni kthyer në shoqëri të dhunëshme, të rresistencës. Të krijohet përshtypja se jeton në Rrypin e Gazës, në Afganistan, në Kosovën e viteve 80, në Ferr me një fjalë!

A themi se po emancipojmë Shqipërinë, po rrisim mirëqënien, po kthejmë pronat, po zgjidhim të gjitha ankesat e qytetarëve? Zbresim për zgjedhje nga biçikleta me qira ku kemi hipur dhe votojmë pastër, bëjmë fushatë pa privilegje, sepse e dimë që populli është me ne! Si? Mendojmë që populli është budalla, i çmendur, idiot dhe nuk e kupton të mirën e tij? Atëhere për t’a shëruar ka vetëm një zgjidhje! Lëreni budallai të bëjë zgjedhjen e gabuar sepse vetëm ashtu ka shanse të korrigjohet, përndryshe as nuk do t’a kuptojë se është budalla!

Ngado që t’a kthesh është e pakuptueshme që nëse jemi të ndershëm, më të mirët, të pastër, të votueshëm, të shkojmë në zgjedhje lokale a të përgjithshme saherë kriza shfaqet, të marrim votëbesimin popullor, se fundi i fundit kjo është demokracia! Pushteti si një biçikletë me qira! Vjen shërben ikën! Nuk është : Vij, e marr, nuk e lëshoj më! Se kur pushtetin nuk e lëshon duket ashiqare se përse nuk e lëshon! Si në Akademinë e Shkencave ku ka dyqind vjet vjet që kryetari bëhet kryetar, sekretari nënkryetar, kryetari dhe sekretari bëhen kryetar, kryetari i reformës bën ligje që të bëhet vetë kryetar, dhe na rrofshin zgjedhjet! Kemi tridhjet vjetë me të njejtit njerëz në drejtim! Kudo! U lodhët o burra! Gjeni rast të pushoni! Na vjen keq për ju!