VIDEO/ Realist por me shumë shpresë, analiza perfekte e Edi Rejas

Fitorja ndaj Moldavisë erdhi pikërisht në momentin e duhur, një fitore e pastër por jo për Edi Reja, tekniku italian shijon tre pikët por kërkon më shumë nga ekipi, mbi të gjitha në finalizim:

“Nuk ishte një fitore aq e kthjellët, nuk arritëm të konkretizonim volumin e lojës, mbi të gjitha në pjesën e dytë. Më pas ishim pak të lodhur por pa vuajtje nuk mund të fitosh, i kam thënë këtë djemve”.

Reja analizon me detaje dy sfidat e tij të para në krye të bankinës kuqezi, nga mbrojtja te sulmi, ekipi i tij po fillon të përmirësohet gradualisht:

“Në fillim kjo ishte një skuadër e cila pësonte gola me lehtësi, nuk kishte rregull në fazën mbrojtëse. Tani në dy ndeshje kemi pësuar vetëm një goditje në postë, një gol. Berisha nuk preku një top me dorë, ashtu ndodhi dhe në Islandë. Në këtë pikë, në mbrojtje kemi përmirësuar, tani duhet të përmirësojmë nga mesfusha e lart, aty duhet të gjejmë zgjidhje. Me Islandën ekipi më pëlqeu më shumë, mbase ishim dhe më të freskët, ishim më pak të lodhur, për këtë arsye kundër Moldavisë bëra 5 ndryshime. Ata që futen nga bankina nëse futen me këtë shpirt mund te kemi avantazhe. Roshi u fut bëri shumë mirë, Cikalleshi vrapoi pas të gjithëve, nuk e kam parë kurrë të bëj një ndeshje të tillë. Po përmirësohemi gradualisht por dua që skuadra të luaj pak më mirë në aspektin futbollistik. Jam i lumtur nga rezultati, tani uroj që të jemi më të qetë dhe të imponojmë lojën tonë. Nëse jemi mirë fizikisht mund të bëjmë gjëra të mira”.

Në një grup me Francën, Turqinë dhe Islandën, Shqipëria ka shanset e saj për të synuar kualifikimin por fillimisht ndeshjet duhen luajtur:

“Franca është e fortë dhe pse humbi kundër Turqisë, Turqia dhe Islanda po ashtu treguan se kanë një ekip të fortë. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, të bëjmë punën tonë. Ndeshjet nuk humben asnjë herë pa u luajtur, duhen luajtur, më pas të shohim”