Tragjedia e (pa)shmangshme e 30 qershorit

Nga Gentian Gaba –

Vendimi i Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 Qershorit, nuk u interpretua si një degë ulliri nga ana e mazhorancës, por si një tufë me hidhës që e ligështoi edhe më shumë qëndrimin e saj kundrejt votimeve të parashikuara në këtë datë.

Debati që vijoi dhe vijon, mbi kushtetutshmërinë e këtij akti ka marrë trajtat e një rropame të madhe midis mbështetësve të secilës palë. Në mungesë të të vetmit institucion që do të mund të vendoste mbi kushtetutshmërinë e zhdekretimit, Gjykatës Kushtetuese, duket se nuk do të triumfojë forca e arsyes, por forca e paarsyeshme e një pushteti absolut.

Për të tilla pushtete dhe për të tillë pushtetarë është folur gjatë në kryeveprat e lashtësisë. Madje për të njohur natyrën e njeriut, natyrën e atij që mban pushtetin, ndoshta edhe për t’i dhënë një interpretim ngërçit aktual, nuk kemi nevojë për konstitucionalist, jurist apo politolog, do të mjaftonte një njohës i mirë i teatrit. Nëse do të donim të kuptonim esencën e këtij momenti të jetës tonë publike, duhet të lexojmë ‘Antigonën’ e Sofokliut. Një vepër që rrëfen se si njëanshmëria e pushtetit prodhon një tragjedi të pashmangshme.

Për ata që nuk njohin subjektin e veprës ‘Antigona’, ajo nis mbas vrasjes së dy vëllezërve Eteoklit dhe Polinikut në dyluftim me njëri-tjetrin. Në Tebë bëhet mbret Kreonti, i cili urdhëron që Poliniku të mos varroset, dhe këtu zë fill konflikti ndërmjet Antigonës që mbron ligjet e pashkruara të ndërgjegjes e normat morale, dhe Kreontit, që mbron ligjet e shkruara të shtetit. Urdhrit të Kreontit se do të dënojë me vdekje cilindo që do të guxojë të varrosë Polinikun e shpallur tradhtar, i kundërvihet Antigona, e cila, e varros vëllanë sepse ky urdhër ishte në kundërshtim me çka besonin tebanët dhe gjithë grekët. Ata e konsideronin detyrë të shenjtë varrosjen e të vdekurve, madje edhe të kundërshtarëve.

Nga ky konflikt, midis ligjeve të këqija të një shteti dhe atyre morale, lind tragjedia që çon në vdekjen e gjithë familjarëve të mbretit. Kreonti, nga apogjeu i pushteti absolut, shkakton dramën që i jep fund burrit dhe regjimit.

Nuk do të mjaftonin përgjërimet e të birit, Emonit, kur i thotë se: ‘Asnjë qytet (shtet) nuk i përket vetëm një njeriu’; dhe kur Kreonti i përgjigjet: ‘Qyteti është i atij që e komandon’, Emoni (dhe historia) i përgjigjet se: ‘ Ti duhet të mbretërosh në një shkretëtirë’. As paralajmërimet e shortarit Tireze, i cili i thotë se: ‘Të gjithë njerëzit gabojnë, por s’është as i mbrapsht, as i mjeruar ai që ndreq gabimet e tij’.

Kjo përballje e ka kthyer ‘Antigonën’ në një simbol të qëndresës së qytetarëve kundër totalitarizmit, ndërsa Kreontin në shembullin e despotit kokëfortë që, nga frika e humbjes së kontrollit mbi popullin, është i gatshëm të ‘mbretërojë në shkretëtirë’ vetëm për të mos humbur pushtetin e tij.

Këtu Rama ‘takohet’ me Kreontin. Në mungesë të ndarjeve të pushteteve mbi të cilën ngrihet demokracia, mbretëron në ‘shkretëtirën’ institucionale që ka krijuar. I gatshëm të organizojë i vetëm zgjedhjet për të respektuar ligjin, paçka së nuk ka kundërshtar, paçka se partia që votohet është edhe partia që numëron votat. Moskokëçarës kundrejt kërkesave të opozitës, cenues i arritjeve të shenjta për qytetarët, si pluralizmi dhe vota e lirë. Sigurisht, në emër të ligjit, por qartësisht në kundërshti me moralin publik dhe me frymën e Kushtetutës. Kjo njëanshmëri po bën të pashmangshme një tjetër tragjedi, atë 30 qershorit.

Që kjo datë të mos kthehet në një përplasje civile (vetëm në tragjedi njerëzit pajtohen pasivisht me fatin e tyre), qytetarët nuk mund të rrinë asnjanës, në pritje që të përmbushet fati i zi i Kreontëve. Por duhet të reagojnë në mbrojtje të vlerës më të shenjtë që e bën një shoqëri demokratike: Vota e lirë.

Ndoshta pa ia vënë shumë veshin konstitucionalistëve që popullojnë ekranet, apo eurokratëve pa mandat, por duke dëgjuar zërin e ‘Antigonës’, që nga lashtësia kumbon me një mesazh pakohë: ‘Asnjë shtet nuk i përket vetëm një njeriu’.