Presidenti Meta, nis takimet për datën e re të zgjedhjeve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mësohet se do të nisë konsultimet me partitë politike për të caktuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Takimi i parë do të jetë me partitë aleate të PD-së, Grupimi i Qendrës së Djathtë.

Ishin pikërisht këta të fundit që i kërkuan Kreut të Shtetit, shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Në orën 19:00, Meta do të takohet me Kreun e PR-së, Fatmir Mediu, me Kreun e PAA-së, Agron Duka, me Kreun e LZHK, Dashamir Shehi, me Kreun e PDK, Nard Noka dhe me Kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.

Takimet nisin fill pas vizitës në Kosovë, ku Presidenti do të marrë pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Në datën 8 qershor, pak para nisjes së protestës së 8-të Kombëtare, Presidenti Meta bëri me dije anullimin e datës 30 qershor, si datë e dekretuar më herët për zgjedhjet lokale.