Për pak ditë hapen procedurat për kompensimin financiar të pronarëve! Edhe ata që janë refuzuar, të aplikojnë!

Procedurat e kompensimit financiar për të prekurit nga ndërtimet informale do të fillojnë që nga data 19 qershor 2019.  Agjencia e Trajtimit të Pronës informon se subjektet e interesuara, në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim duhet të paraqesin dokumentacionin si më poshtë:

1.Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2.Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3.Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4.Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5.Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

Për Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të aplikojnë sërish.

Agjencia e Trajtimit të Pronave bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi publik se procesi i pranimit të kërkesave nuk do të jetë i kushtëzuar apo i kufizuar në kohë.