Panariti: Mazhoranca ka nisur hapat pas

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së Edmond Panariti ka qenë i ftuar në studion e lajmeve në Fax News ku ka komentuar situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Sipas Panaritit në rast se vendi shkonte në zgjedhje në këto kushte, me opozitën që nuk do të marrë pjesë, përplasjet do të ishin të pashmangshme.

Panarit tha se vendi ka hyrë tashmë në një numërim mbrapsht të rrezikshëm, dhe duhet që politika, veçanërisht qeveria duhet të ketë një reflektim të menjëhershëm. Sipas ish-deputetit mazhoranca ka reflektuar hapa pas, pasi nesër nuk do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, po do të diskutohet lidhur me dekretin e tij.

“Ndodhemi në një numërim mbrapsht të rrezikshëm, juridikisht 30 Qershori nuk ekziston më për shkak se dekreti i presidentit është botuar dhe na faqen zyrtare. A mund të imagjinoni zgjedhje pa datë të ligjshme, ku më pak se gjysma e votuese do të shkojnë në votime, dhe nuk do të kenë mundësi zgjedhje? Gara është vetëm me një parti, dhe kandidatët në disa prej bashkive janë thjesht një garniturë pa përfaqësim, vendi mund të shkojë drjejt një konflikti.

Unë nuk e mendoj dot se çfarë do të ndodhë nëse zgjedhjet mbahen, dhe kryebashkiakët e PD-së dhe të LSI-së mos të dalin nga zyra. Iu bëj thirrje politikanëve kontruktivë që të afrohen rreth presidentit Meta dhe të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kriza. Duhet të mbizotërojë ndjenja e përgjegjshmërisë, dhe duhet të gjendet një datë e re për zgjedhjet.

Presidenti ndërhyri në bazë të kompetencave që i njeh Kushtetuta, për të shmangur konfliktin civil në vend, kush mund të ishte një institucion tjetër përveç presidentit që të ndërhynte? Shoh disa shenja tërheqjeje nga ana e mazhorancës, pasi shkuan deri aty sa të nisnin procedurat për shkarkimin e presidentit, tashmë ka një rezolutë për diskutimin e vendimit. Reagimi emocional ka kaluar, nuk mund tiu kalojmë shqiptarëve faturën e këtyre krizave të panevojshme.

Duhet të ketë një qeveri tranzitore, e cila do të sillte opozitën në sistem, pasi tashmë kemi sistem monist. Unë mendoj se dhe kryeministri, edhe mazhoranca duhet të kuptojnë se është koha që tashmë të ulen në dialog, pa kushte, jo si ato letrat false që iu shitën publikut si një shtrim dore”, u shpreh Panariti.