Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj në Bruksel, çfarë u tha për negociatat

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë në një veprimtari kushtuar integrimit europian të Shqipërisë, e cila u zhvillua në Parlamentin Europian, nën kujdesin e grupit parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në PE.

Veprimtaria u moderua nga eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe në të morën pjesë deputetë të Parlamentit Europian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bruksel, përfaqësues të agjencive të ndryshme europiane, studentë etj.

Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj prezantuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, me fokus luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit, frenimin e migracionit të paligjshëm si dhe reformën në drejtësi.

Në njoftimin e shpërndarë nga ministritë përkatëse thuhet se në pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve u evidentua dhe u vlerësua progresi i dukshëm i bërë nga Shqipëria si dhe u shpreh mbështetje pa ekuivoke për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj, sipas rekomandimit të Komisionit Europian.