Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, 2757 fëmijë kanë marrë çekun e bebes

Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” që nga data 1 janar dhe deri më sot, familjet e reja kanë përfituar 178 500 mijë lekë të reja, falë çekut të bebes. Sipas shifrave të bëra publike nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, janë 2 757 fëmijë që kanë ardhur në jetë duke bërë që familjet të përfitojnë nga mbështetja financiare e qeverisë.

“Kanë përfituar nga bonusi i bebes 2 757 fëmijë duke bërë të mundur që familjet e reja të përfitojnë në total 178 500 mije lekë të reja. Jo pak për çiftet e reja”. Këshilli i Ministrave miratoi në 12 dhjetor masën dhe procedurën e dhënies së çekut të bebeve për nënat me foshnja të sapolindura.

Ndihma e menjëhershme financiare u jepet familjeve në masën dyzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, tetëdhjetë mijë lekë për lindjen e fëmijës së dytë, njëqind e njëzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim. Në rastet e nënave që lindin binjakë apo trinjakë: në rastin e parë masa e përfitimit është tetëdhjetë mijë lekë për secilin fëmijë dhe për rastin e dytë njëqind e njëzet mijë lekë për secilin fëmijë.