Elseid Hysaj një hap larg Interit, mbrojtësi ka akord me zikaltrit

Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi i kombëtares është një hap larg “divorcit” me klubin bardhekaltër. E ardhmja e tij ka qenë gjithmonë një mister, ashtu siç ka qenë edhe vetë futbollisti në fundin e ndeshjes ndaj Moldavisë në intervistën që ka dhënë për “SportMediaset”.

“Bëmë shumë mirë, më pëlqen futbolli që po luajmë. Kemi shënuar, dhe fituam, duhet t’i gëzohemi këtij prezantimi. Për të ardhmen fillimisht do të mendoj për pushimet që fillojnë sot. Dua t’i shijoj në maksimum, nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, deklaroi mbrojtësi shkodran.

Sipas burimeve pranë tij, Hysaj është shumë pranë transferimit tek Interi, që është gati për të bërë ofertën konkrete. Në ditët e fundit është folur shumë për një transferim të mundshëm te Atletico Madrid dhe Juventus, por me shumë mundësi mbrojtësin e kombëtares në sezonin e ri do ta shohim në skuadrën e Antonio Contes. /R.Lika-Koha Jone/

Elseid Hysaj (Getty Images)