Data e re për zgjedhjet, Presidenti Meta nis konsultimet me aleatët e PD

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur konsultimet me partitë politike për të caktuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Takimi i parë nisi këtë të mërkurë, në orën 19:00 me partitë aleate të PD-së, Grupimi i Qendrës së Djathtë.

Ishin pikërisht këta të fundit që i kërkuan Kreut të Shtetit, shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Kreu i Shtetit ka pritur në Presidencë, Kreun e PR-së, Fatmir Mediun, Kreun e PAA-së, Agron Dukën, Kreun e LZHK, Dashamir Shehin, Kreun e PDK, Nard Nokën dhe me Kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.

Takimet nisin fill pas vizitës në Kosovë, ku Presidenti mori pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Në datën 8 qershor, pak para nisjes së protestës së 8-të Kombëtare, Presidenti Meta bëri me dije anullimin e datës 30 qershor, si datë e dekretuar më herët për zgjedhjet lokale.