ANALIZA/ Njihuni me 3 kartat fituese të Rejës ndaj Moldavisë

Shqipëria të martën në mbrëmje mori fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Edy Reja. Kuqezinjtë e patën shumë të vështirë për të gjetur rrugën e rrjetës, edhe përballë ishte Moldavia, një kundërshtarë modest, duke marrë në konsideratë nivelin e disa prej futbollistëve të kombëtares sonë. Strategu italian e nisi me skemën 3-5-2 duke bërë disa ndryshime në formacionin bazë, krahasuar me sfidën e tri ditëve më parë ndaj Islandës, që ndeshje që e humbën minimalisht 1-0.

 

Gabimet në mbrojtje nuk munguan as në “Elbasan Arena”, teksa Ismajli, Mavraj dhe Veseli sërish bënë gabime të shumta në prapavijë. Në sulm ndërkohë sërish Hysaj u shfaq shumë i rrezikshëm në sulm, ndërkohë që Sadiku dhe Uzuni u vunë pak herë në kontakt me topin. Duke parë që kuqezinjtë po vuanin shumë në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Reja vendos që të bëjë ndryshime në formacion, duke bërë zgjedhje që e ndihmuan shumë. Më poshtë ju kemi sjellë “tri kartat” fituese të strategut italian, teksa kemi vendosur Ramadanin dhe jo Qose-n, për shkak se ky i fundit qëndroi pak minuta, edhe pse i dha sigurinë që i mungonte në minutat e fundit.

“Bisha” Cikalleshi – Bomberi mungonte prej më shumë se dy vitesh në kombëtare për shkaqe të ndryshme, nga zgjedhjet e Panuccit deri te dëmtimet e shumta. Ai ishte shumë aktiv në aksionet sulmuese duke ndihmuar shokët e tij, por mbi të gjitha, arriti që të konkretizonte një aksion fantastik në minutën e 66-të, pas një aksioni të bukur të dy shokëve të tij, Uzunit dhe Roshit. Edhe në minutat në vijim, Cikalleshi ishte një ndër më të mirët në fushë, duke u kthyer edhe në mbrojtje për të rikuperuar topat.

“Raketa” Roshi – Mesfushori hyri në fushë vetëm disa sekonda pas Cikalleshit, por impakti i tij ishte po aq pozitive. Shpejtësia, driblimet dhe vënia në dispozicion të skuadrës edhe në fazën mbrojtëse, e bënë atë një nga futbollistët më të mirë në fushë. I jashtëzakonshëm në minutën e 66-të, ku depërton me shpejtësi “skëterr” në zonën e Moldavisë, dhe i ndihmuar pak edhe nga fati shërben për Sokol Cikalleshin. Rendimenti i tij nuk do të ndryshonte me kalimin e minutave, duke marrë vlerësimin nga shokët e tij pas ndeshjes. “Raketa” është rikthyer në formën më të mirë te kuqezinjtë.

“Xholi” Ramadani – Për shumë tifozë të pranishëm në tribuna, por dhe për teleshikuesit ishte disi e çuditshme fakti që ai mbante mbi shpinë numrin 9. Një numër që jemi mësuar që ta shohim të mbajtur nga Memushaj. Gjithsesi talenti që luan në Danimarkë me Veljen, e justifikoi totalisht besimin e trajnerit Reja, duke shënuar një gol fantastik në minutën e 2-të të shtesës. Ai bën një driblim të bukur dhe më pas lëshon një të djathtë të hidhur që do të përfundonte në cepin e portës. Festimi i tij linte një shije të “hidhur”, pasi përveç heqjes, ai e shoqëroi edhe me një shqelm, një veprim që në një rast tjetër do i kishte kushtuar shumë. Gjithsesi e pranueshme, në raste të tilla emocionuese. /Rozalb Lika- Koha Jone/