Vlerëson qeverinë, Bregu: Kriza politike ka rënduar Integrimin

Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, deklaroi në emisionin “I Ftuari” në A2 CNN se “kriza politike në Shqipëri e ka rënduar në mënyrë katastrofike situatën” e hapjes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian.

“E kam thënë gjithmonë që e shikoja shumë të vështirë qershorin për hapjen e negociatave, pasi ishin zgjedhjet në Evropë, Brexit-i. Gjasat ishin të vështira nisur nga rrethanat aktuale ku është Evropa. Unë besoj fuqishëm se çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në rast se deri dje ishte një çështje ku 10 mendje mund të mos binin dakord, sot është domosdoshmëri. Shqipëria ka pasur vlerësim pozitiv për angazhimin në Reformën e Drejtësisë. Është një nga reformat më të vështira dhe vendit tonë i takonte një lloj vlerësimi. Situata politike në Shqipëri e ka rënduar në mënyrë katastrofike situatën”, tha Bregu.