Reja gjen formulën e golave, mban gjallë shpresën për Europianin

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Moldavisë, e katërta në grupin H eliminator të Europianit, u mbyll me 2-0 për të kuqtë. Ishte Sokol Cikalleshi që shënoi golin e parë për kuqezinjtë, duke ndezur atmosferën në shkallet e stadiumit.

Trajneri Edi Reja i gëzohet suksesit të parë me Kombëtaren shqiptare. Në një “Elbasan Arena” të zbrazur në shumicën e tribunave, kuqezinjtë morën një tjetër 3-pikësh në eliminatoret e Euro 2020-ës, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm. Sfida nisi me kuqezinjtë që morën menjëherë kontrollin e lojës, duke tentuar të sulmojnë në mënyrë të vazhdueshme, por pasimi i fundit ishte në shumicën e rasteve i gabuar, duke bërë që kërcënimet reale të mungonin.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha Armando Sadiku, i cili mori një pasim në hyrje të zonës dhe gjuajti nga një pozicion mjaft i vështirë, por goditja e tij u grushtua nga portieri moldav, ndërsa në një moment më vonë, kuqezinjtë pretenduan edhe për një 11-metërsh, por nuk ndante të njëjtin mendim arbitri finlandez. Edhe pjesa e dytë nisi në të njëjtën mënyrë, me kuqezinjtë që xhironin topin, por vuanin të ndërtonin aksione të rrezikshme, ndërsa në minutën e 58’ trajnerit Reja iu sos durimi dhe bëri ndërhyrjet e para, duke larguar Lenjanin e Sadikun, për t’u bërë vend Cikalleshit e Roshit.

Pikërisht këta të dy ishin protagonistë të golit të parë të kuqezinjve, që erdhi vetëm 6 minuta më vonë, me fierakun që u shërbye në thellësi dhe pasi depërtoi pranë kuadratit të portës moldave, shërbeu për Cikalleshin, i cili shtyu topin në rrjetë me portën e boshatisur.

“Live” te gjithë rastet dhe momentet pikante të ndeshjes

58′ Zëvendësim dysh te kuqezinjtë, Cikalleshi merr vendin e Sadikut, Roshi zë vendin e Lenjanit

46′ Nis pjesa e dytë

Mbyllet pjesa e parë: Kombëtarja jonë e futbollit nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në 45 minutëshin e parë ndaj Moldavisë. Takimi i cili po zhvillohet në “Elbasan Arena” prodhoi vetëm disa raste sporadike. Me rikthimin në fushë, kuqezinjtë duhet të djersijnë akoma dhe më shumë nëse dëshirojnë që të dalin me pikë të plota nga ky duel.

45′ Nuk akordohet asnjë minutë shtesë:

36′ Aksion i gjatë i kuqezinjve. Topi shkon te Sadiku, por sulmuesi zihet në pozicion jashtë loje

24′ Sadiku tenton të befasojë kundërshtarët, godet nga vendi, por ndalet nga portieri mik. Aksionin e vijon Lenjani, por goditja e tij ndalet nga mbrojtja.

18′ Abrashi kërkon të kërcënojë portën kundërshtare, godet nga jashtë zone, por sfera përfundon jashtë

3′ Drithërima në portën e Berishës. Sulmuesi mik kalon gjithë mbrojtjen, por neutralizohet nga gardiani kuqezi

FORMACIONET

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Veseli, Mavraj, Hysaj, Lenjani, Kaçe, Abrashi, Ramadani, Uzuni, Sadiku. Trajner: Edi Reja.

Moldavia: Koselev, Jardan, Efros, Armas, Antoniuc, Cebotaru, Karp, Reabciuk, Suvorov, Ginsari, Damaskan. Trajner: Aleksrandru Spiridon.