OSBE: Respektoni institucionet kushtetuese, gjeni kompromisin

Miroslav Lajcak, kreu i OSBE-së dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm i Sllovakisë, ka folur ditën e sotme në lidhje për krizën politike në Shqipëri.

Lajcak, i cili javën e kaluar ishte për vizitë në Tiranë, është shprehur se zhvillimet e fundit politikë mund të thellojnë më shumë krizën politike në vendin tonë.

Kreu i OSBE-së u bëri thirrje palëve politike që të respektojnë ligjet si dhe të respektojnë kompetencat e institucioneve.

“Të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt për ligjet në fuqi, rolet kushtetuese dhe institucionet demokratike”.

Lajcak theksoi se politika shqiptare duhet të respektojë të drejtën e popullit për të votuar, ashtu siç parashikohet në legjislacionin e vendit tonë.

Ai u shpreh i bindur se palët politike shqiptare do e gjejnë vetë zgjidhjen e krizës politike.

 “Politika shqiptare do ta gjej vetë zgjidhjen, brenda kuadrit legjislativ dhe kushtetues, duke i mundësuar vendit  që të fokusohet në sfidat e rëndësishme për të”.

Deklarata e plotë Lajčák, për zhvillimet në Shqipëri

Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore. Kryetari i Radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse. Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar. Gjithashtu, ai shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë./