Ndeshja Shqipëri-Moldavi, ja çfarë këshillon policia

Në prag të ndeshjes Shqipëri-Moldavi në stadiumin Elbasan Arena, Policia e Elbasanit ka publikuar planin e masave për sigurinë e rendit.

Duke filluar nga ora 18:00 në Elbasan do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini” nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Qarkullimi do të ndalohet dhe në Bulevardin “Aqif Pasha”.

Bulevardi “Qemal Stafa” dhe Unaza e Qytetit do përdoren për qarkullimin e mjeteve. Për sigurinë do të angazhohen 365 efektivë policie.

Uniformat blu i bëjnë apel të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe (të çfarëdolloj), fishekzjarrë, monedha apo metale (të çfarëdolloj) dhe çelësa të ndryshëm.