Lëvizte me armë, pranga të rrezikshmit nga Vora

Një 30-vjeçar me të shkuar kriminale është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata”.  Policia njofton se i arrestuari është shtetasi E.H, banues në Vorë dhe që rezulton i dënuar më parë me 6 vite burg.

Ai ishte ekstraduar nga Kroacia për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, ndërsa ishte proceduar edhe për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.  Arrestimi i tij u bë pasi u konstatua se ai lëvizte me armë në brez.

Gjatë aksionit për arrestimin e 30-vjeçarit, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe një krëhër me 7 fishekë.

Njoftimi i policisë:

“Finalizohet operacioni i koduar “Mesnata”, në fushën e armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri, vihet në pranga 30 vjeçari, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe krimeve ndaj personit. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vorë.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Pistoletë dhe një krëhër me 7 fishekë. Shërbimet e komisariatit Vorë në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas me precedent penal të mëparshëm  qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Mesnata”. Si rezultat i operacionit ne rrugën dytësore në hyrje të Vorës u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. H., 30 vjeç, banues në Vorë, i dënuar më parë me 6 vite burg, ekstraduar nga Kroacia për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” si dhe proceduar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Gjatë kontrollit  të ushtuar në automjetin tip Audi, në çantën e dorës së këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Pistoletë me një krehër me 7 fishekë, që e mbante pa leje. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.