Kuponët tatimorë-Tatimet, njoftim të rëndësishëm për bizneset!

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë,  se janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.

Tatimpaguesi është i ndaluar të mbajë apo përdorë pajisje fiskale dhe sisteme monitorimi të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore apo akteve nënligjore në zbatim të ligjit” informojnë Tatimet.

Po ashtu, Tatimet evidentojnë se është detyrim ligjor që, personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë, përfshirë këtu edhe personat e tatueshëm të cilët shesin libra të çdo lloji, revista, gazeta dhe artikuj të tjerë.

Kuponi tatimor lëshohet në dy kopje, një nga të cilat është kopje letër që i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra i mbetet vetë personit të tatueshëm në shiritin e kontrollit të arkës regjistruese. Kuponi tatimor është dokumenti nëpërmjet të cilit realizohet transparenca e duhur në marrëdhëniet e çdo biznesi me klientët e tij.

Po ashtu, Tatimet theksojnë se personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, kur vlera e çdo furnizimi të kryer për blerësin, pavarësisht nga statusi i këtij të fundit, është më e madhe se 40,000 lekë, përfshirë TVSH.

Për çdo furnizim të tillë të bërë për individët konsumatorë jotregtarë,në faturën e lëshuar nga shitësi paraqitet detyrimisht emri, mbiemri dhe adresa e blerësit. Personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar gjithashtu që përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, pavarësisht nga vlera e furnizimit, në rastet kur marrësi i furnizimit është person i tatueshëm dhe kërkon faturë tatimore për nevoja biznesi apo kur marrësi i furnizimit edhe kur nuk është personi i tatueshëm, e kërkon faturën” përfundon informimi i Tatimeve.