Ekspertiza: Rexhina Debrova pësoi “emboli amniotike”

Embolia amniotike, një komplikacion i rrallë gjatë lindjes, është konfirmuar nga ekspertiza mjekoligjore si shkaku i vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova, e cila vdiq pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë në maternitetin e Elbasanit. Rreth një muaj nga ngjarja e rëndë në maternitetin e Elbasanit ku 25-vjeçarja Rexhina Debrova ndërroi jetë pasi lindi fëmijën e parë, ekspertiza mjekoligjore thotë se shkak u bë një komplikacion i rrallë gjatë lindjes.

Mjeku ligjor, Admir Sinamati, pas ekspertizës ka arritur në përfundimin se shkaku i vdekjes së shtetases Rexhina Debrova ka qenë embolia amniotike. Një embolizëm amniotik i lëngjeve është një emergjencë e rrallë në lindje (obstetrike) në të cilën lëngu amniotik hyn në rrjedhën e gjakut të nënës për të shkaktuar një reagim serioz. Ky reagim pastaj rezulton në kolapsin kardio-frymëmarrës dhe gjakderdhja masive (koagulopatia).

Nga ekspertiza mjeko-ligjore të kryer në trupin viktimës, rezultoi se gjithçka ka ndodhur për shkak të mpiksjes së gjakut. Eksperti vlerëson se nga ekzaminimi mikroskopik i organeve u konstatua se prania e reaksionit eosinofilik në organe dhe edeme pulmonare akute. Më herët edhe spitali i Elbasanit tha se shkak për ngjarjen e rëndë u bë mpiksja e gjakut, por familjarët e 25-vjeçares akuzuan mjekët për pakujdesi. Për rastin, policia arrestoi kardiologun Mehmet Ibaj dhe reanimatorin Niko Thana, të cilët u liruan në Gykatë me masën “detyrim paraqitje”.