Ambasadorë! Reagoni dhe flisni para se tymi dhe flaka të pushtojë Tiranën!

Nga Nikoll LESI 

Ambasadorë të nderuar që jeni në Tiranë!

Situata politike në vendim tim po rrëshqet rrezikshëm në destabilitet. Nëse nuk e keni të qartë se çdo të thotë “destabilitet shqiptar deri në përplasje civile” atëhere pyesni paraardhësit tuaj ambasadorë në Shqipëri.

Ju (disa prej jush) nuk duhet të përkrahni një njeri që ka vendosur të shkojë i vetëm në zgjedhje, sikurse ju duhet të merrni për veshi edhe liderët e opozitës që t’i ulni në tryezë me palën konfliktuale, që mbetet kryeministri dhe PS-ja.

Natyrisht që opozita ka si kusht pa “kryeministrin Rama”, por ju keni autoritetin moral dhe besueshmërinë strategjike që t’i shtroni, edhe me “dru”, gjitha palët kryesore politike në bisedime për të arritur një zgjidhje.

Mos e shikoni, të nderuar ambasadorë, Shqipërinë me syzet e kryeministrit. As edhe të opozitës!

Nëse plas përplasja civile, e cila për fat të keq pas ditës së enjte do jetë një tmerr, ju mund të strehoheni nëpër ambasada me policë. Por populli im, populli i thjeshtë, do jetë në kacafytje për hir edhe të heshtjes tuaj apo nëse doni quajeni, edhe të përkrahjes që keni manifestuar ndaj kryeministrit Rama. Ju e keni bërë këtë përkrahje, pasi ka pak vite që ka kaluar në plan të parë “stabiliteti” rajonal dhe jo rregullat e demokracisë në shtetet tuaja. Ju (disa) mendoni se me Edi Ramën ka stabilitet dhe kaq iu duhet për interesat gjeostrategjike, tuajat.

Por jo! Stabiliteti që keni raportuar nuk është real, nuk është i saktë. Po plasi në Tiranë, dijeni se mijëra shqiptarë do turren të ambasadat tuaja si në korrik 1990. Dijeni pra se ka një plan të tillë që nëse plas përplasja civile, ambasadat tuaja do mbushen plot e përplot, si dikur. Pa folur më pas për dhjetra mijëra të tjerë që do rendin drejt Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Populli nuk ka faj, të nderuar ambasadorë!

Ndaj mos heshtni më dhe kapeni politikën, majtas dhe djathtas, për flokësh dhe uleni në tavolinë për zgjidhje.

Ndryshe, do keni bërë një krim të madh ndaj popullit tim!

Mua nuk më intereson as Edi Rama, as Ilir Meta, as Lulzim Basha e as Monika Kryemadhi. As edhe Saliu!

Më intereson të gjendet një zgjidhje, të cilët mes vetes ne si shqiptarë nuk po e gjejmë.

Mos heshtni më!