Pasiguria në rrugë, problemet në akset kryesore të vendit

Barriera në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës është një nga elementët më të rëndësishëm të sigurisë rrugore, por sipas ekspertëve është jashtë standardit për shkak të lartësisë së ulët.

“Kjo është jashtë standardeve dhe mund të dallohet shumë lehtë me pjesën tjetër të rrugës, që vazhdon më tej për në Durrës apo te mbikalimi i Kamzës. Njëkohësisht, këtu paraqet një lloj rrezikshmërie edhe për mjete që mund të lëvizin me shpejtësi në raste aksidenti, pasi mund të kalojnë në krahun tjetër. Po ashtu ka një problematikë në shkëmbimin me drita, sidomos natën, mes mjeteve për arsye të shkurtësisë”, tha Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore.

Problemet me sinjalistikën rrugore shtohen edhe më shumë në rrugët interurbane dytësore, si ajo që lidh Tiranën me Fushë Krujën. Eksperti e vendos theksin te mungesa e sinjalistikës.

“Sinjalistika horizontale mungon totalisht dhe të gjitha hyrje-daljet, qoftë të bizneseve, qoftë të rrugëve jokryesore, që shkojnë në brendësi të lagjeve, janë të papajisura me sinjalistikë, qoftë horizontale, ashtu dhe vertikale. Vendkalimet e këmbësorëve pothuajse mungojnë, me përjashtim të një mbikalimi, i cili është në distancë të konsiderueshme dhe i detyron ndoshta njerëzit për të kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin të dalin në rrugë. Në shumë raste të tilla ka pasur aksidente rrugore”, tha më tej eksperti Fatmir Hasho.