“Vjell gjak nga goja”, protestuesi tregon historinë shokuese: Kam shitur hashash për të blerë ilaçet

“Vjell gjak nga goja”, kështu është shprehur në mikrofonin e Fax News një protestues që ndodhet sot përpara kryeministrisë, në mbështetje të opozitës.

Ai tregon se ka dalë në protestë për të kërkuar rimbursimin e ilaçeve, pasi është detyruar dhe që të shesë hashash në mënyrë që të nxjerrë paratë për medikamentet.

Qytetari tha se kishte ardhur nga Korça për të protestuar për ilaçet, nga e cila varet dhe jeta e tij.

Opozita e bashkuar sot mban protestën e 8-ë kombëtare, ndërsa prej 16 shkurtit ka nisur një sagë protestash para Kryeministrisë, Parlamentit dhe institucioneve më të rëndësishme në vend.

Deputetët e PD-së dhe LSI-së vendosën të digjnin mandatet e tyre në shkurt të këtij viti pas zbulimit të disa hetimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda se zyrtarë të lartë kanë ndërhyrë nëpërmjet shitblerjes së votës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

Kjo kauzë e opozitës u përforcua dhe pas artikullit të tabloidit gjerman BILD ku u publikuan 6 përgjime të bisedave të zyrtarëve të lartë të PS-së në Durrës me eksponentë të rrezikshëm të krimit, jo vetëm në vend.

Lideri i PD-së, Lulzim Basha në protestën e së dielës së shkuar paralajmëroi se nuk do të kishte më fjalë dhe se në protestën e ardhshme fjala do ti lihej sovranit.