Policia: Dhunës në protestë do t’i përgjigjemi me dhunë

Policia e Shtetit ka reaguar pak orë para protestës së opozitës. Në një deklaratë për media,  Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, tha se kanë informacione shqetësuese për incidente që mund të ndodhin gjatë tubimit. Hajnaj u kërkoi organizatorëve të protestës që të mos lejojnë në turmë njerëz me maska dhe mjete të forta në duar.

“Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit. Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë”,- tha Zv/drejtorja e Policisë së Shtetit.

Ajo bëri me dije se dhuna e protestuesve do të marrë të njëjtën përgjigje nga ana e forcave të rendit. “Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune”,- deklaroi Hajnaj.

Nuk dihet se ku bazohen informacionet e Policisë së Shtetit për dhunë gjatë tubimit. Burime nga opozita deklaruan se qëllimi i protestës është largimi i kryeministrit përmes pjesëmarrjes masive, por nuk ka asnjë qëllim të qytetarët të dhunojnë institucionet dhe policinë. Mesazhet që kanë dhënë dje kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë qenë për një tubim kombëtar paqësorë që do të detyrojë Edi Ramën të largohet.

Aida Hajnaj

Deklaratë për media e Zv.drejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.

Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj.

Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit.

Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë.

Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës.

Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune.

Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë.