Skënder Gjinushi, pas akuzave: Nuk jam më kryetar partie

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, në një deklaratë për mediat, ka sqaruar pozicionin e tij, pas akuzave se ka shkelur ligjin duke mbajtur njëherazi postin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Gjinushi tha se që prej datës 18 maj nuk është më kryetar i PSD, ndërsa detyra e tij e re si kryetar i Akademisë së Shkencave nuk është bërë ende efektive.

“Prej 18 majit unë nuk ushtroj më funksionin e kryetarit të PSD. Në 24 maj jam zgjedhur nga Asambleja e nderuar e Akademisë së Shkencave si kryetar i ASH çka ende nuk është bërë efektive. Kështu që ndryshe nga ç’rendin prej kohësh të thonë nuk kryej as funksionin e kryetarit të PSD e as kryetarit të ASH.

Veprimet e mësipërme janë çuar për regjistrim në gjykatë dhe në KQZ. Dje gjykata pranoi dorëheqjen dhe zëvendësimin. Gjykata nuk bën pranim a mospranim, por reflekton dhe KQZ ka ndërmarrë veprimet përkatëse. Kështu që nga dje nuk figuroj as formalisht as në aktet e gjykatës as KQZ. Ata që ngatërrojnë se datëlindja është ditë që fëmija merr frymë për herë të parë i pavarur dhe jo dita e regjistrimit në gjendje civile”, deklaroi Gjinushi.