Përgjimet/ Shokon sërish Dako: Ne i mirëpresim personat e dënuar të kontribuojnë në fushatë

Vazhdon të shokojë Vangjush Dako me mbrojtjen që i bën Astrit Avdylajt, ku edhe sonte në Report Tv e ka cilësuar si një gjë krejt normale që të vijnë të japin kontributin e tyre për një parti edhe persona të dënuar.

“Këta janë njerëz që mendojnë që mund të japin edhe ata një kontribut që i shërben votës. Dhe shumë njerëz që janë në dyzim dhe vendosin në momentet e fundit edhe ai ndërmjetësi shkon dhe jep votën e vetë. Dhe ne politika na intereson kjo gjë. Ne e mirëpresim qoftë edhe njeriun e dënuar edhe njerëz që kanë pasur probleme me ligjin. Ka pasur edhe deputete që kanë shkuar edhe në burgje për të kërkuar votat’, tha Dako.

Si e kam njohur Astrit Avdylajn

Vangjush Dako në studion e “Repolitix” në Report Tv ka rrëfyer se si ka njohur Astrit Avdylajn dhe rolin që ka pasur ai në fushatën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e kaluara.

“Rreth vitit 2016-2017 kam dëgjuar për Astrit Avdylaj. Kemi pirë një kafe në Shijak pas një aktiviteti elektoral, kemi qenë rreth 10-15, mes tyre dhe Astrit dhe shumë persona të tjerë që na kanë përshëndetur, na kanë mbështetur për PS, që do të japim maksimumin që PS të fitojë sërish zgjedhjet në Shijak.  Familja Avdyli është një fis i madh në Shijak dhe njihen si mbiemra, pa i ditur se kush është me fytyra, por s’kam pasur asnjë kontakt personal me ta para 2016. Këta kanë intensifikuar të gjitha kontaktet, kanë qenë aktiv për të ndihmuar PS, por nuk është kërkuar që të manipulojnë që të shesin apo blejnë vota në Durrës, as ata dhe as unë s’u kam kërkuar. Ata nuk kanë përfituar asgjë të jashtëligjshme nga Bashkia e Durrësit dhe në dijeninë time as nga Bashkia e Shijakut. Ne nuk i konsiderojmë grupe. Familjet mafioze i konsideron prokuroria, gjykata, organet kompetente. Ne i konsiderojmë njerëz me influenca që kanë një fis të madh që kanë një rreth miqësor, që japin një mbështetje për të mbledhur sa më tepër vota. Këto i kanë të gjitha partitë, të gjithë bëjnë punë e vet. Ajo që ne kërkojmë është që mos të ketë manipulim, mos të ketë vjedhje votash dhe të vendosim ne njerëzit tanë për t’i ruajtur, komisionarët. Edhe pala tjetër bën të njëjtën gjë”, tha Dako.

“Komunikoj me shumë zgjedhës në celular, por nuk mbaj mend që të kem folur ndonjëherë me Astrit Avdylaj në telefon. Live në takime, ka qenë rasti që kemi folur, jo…ndoshta, por unë nuk e mbaj mend…Telefonata “ça bën, si je, motër/vëlla”, ndonjëherë madje shumë shpesh nuk e di se me kë je duke folur dhe po nuk pate nr telefonit këto shprehje “lal, zotëri” janë shprehje që përdorin nga gjithë njerëzit kur nuk i njeh dhe s’ke konfidencë. Sepse kur nuk e njeh e thërret me emër”, sqaron Dako.

Dako është shprehur se ai nuk është zëri i Astrit Avdylit, por i një familjari të tij, ndonëse nuk ka thënë një emër konkret. Kryebashkiaku theksoi se ajo telefonatë është manipuluar, me qëllim që të krijohet një lidhje Dako- Avdylajn, gjë për të cilën ai thotë se është e pabazuar askund.

“Unë e kam thënë që nuk është Astrit Avdylaj, është një person  nga familja e tyre i cili komunikon me mua, por jo Astrit. Kjo jo se ndryshon rrjedhjen e telefonatave, por është manipuluar me qëllim që të lidhin të gjithë telefonatat e tjera, 5 të tjerat me Vangjush Dakon. Ka qenë një mendje djallëzore për të çorientuar opinioni publik. Në këtë rast, kjo telefonatë nuk është zëri i Astrit Avdylaj. Nuk mabj mend të kem folur ndonjëherë në celular me Avdylajn”, u shpreh Dako.

Dako: Përgjimet e sajuara për të justifikuar djegien e mandateve nga PD

Për kryebashkiakun, Vangjush Dako, pas publikimit të këtyre e audio-përgjimeve nga “Bild”, qëndron e fshehur pikërisht opozita. Këta të fundit, sipas tij, e kanë përdorur si një formë, për të justifikuar vendimin e tyre drastik për të djegur mandatet. Ai është shprehur i bindur se materialet nga dalë nga Prokuroria, por ka zgjedhur që të mos flasë me emra se për tek cili prokuror dyshon.

Ndjej një përbuzje që kjo histori është ngritur për të manipuluar opinionin publik, që votat janë vjedhur dhe se mazhoranca aktuale ka ardhur nga votat e vjedhur. PD po justifikon humbjen e tyre me këtë përgjime dhe që protesta e tyre e nesërme të marrë mbështetje. Kjo farsë sajohet që ata kanë të kenë një kauzë për të legjitimuar pse dolën nga parlamenti dhe të baltosin figurë time. Garantoj të gjithë qytetarët që në Durrës votat nuk janë vjedhur, as nga bandat e as nga mazhoranca. Nuk ka ndryshuar rezultati nga manipulimi. Kjo çorbë është gatuar në zyrat e partisë Demokratike dhe e kanë çuar te gazeta gjermane. Pa diskutim që materialet kanë dalë nga Prokuroria”, tha Dako.