Mesazhet e Kryemadhit, një ditë para protestës

Nga Monika Kryemadhi –
(Fjala e Kryetares së LSI-së, në takimin me strukturat e LSI Tiranë)
Në radhë të parë dua t’ju falënderoj të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohëse për të gjithë kurajën, mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj kohe. Fitova një betejë, një betejë që është shumë e rëndësishme për familjen time, për fëmijët e mi, por mbi të gjitha një betejë e cila vë njerëzit për të kuptuar që jeta ka shumë vlerë, ka rëndësi për njeriun dhe të gjithë jetojmë e punojmë për të pasur një jetë më të mirë, për t’ju shërbyer familjarëve tanë, dhe për të qenë njerëz të devotshëm të shoqërisë dhe shërbëtorë të Zotit. Dua të falënderoj edhe mjekët që realizuan një mrekulli me mua, mbi të gjitha doktoreshë Silvën, të cilën dua ta falënderoj në emrin tuaj. Falimenderit shumë, pasi këto dy javë ishin të rëndësishme për mua, por jam e bindur që kjo mungesë prej dy javësh do ta kompensoj me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Sepse të gjithë së bashku ne duhet të bëjmë një angazhim dhe përfshirje të të gjithë qytetarëve të Tiranës. Sot kur po vija, me Petritin diskutuam edhe me Luanin ishte e domosdoshme takimi me strukturat e Tiranës për shkak të protestës së ditës së nesërme.

Protesta e nesërme nuk është as protestë e LSI-së, as e PD-së, por është një protestë e qytetarëve të Tiranës, por edhe e gjithë qytetarëve të Shqipërisë që janë të gatshëm për të ardhur dhe për të protestuar.

Sot qytetarët nuk kanë ndërmend të gjejnë armikun e klasës, as nuk kanë ndërmend të gjejnë imperializmin dhe revizionizmin, por mbi të gjitha qytetarët e Tiranës sot kanë ndërmend të garantojnë të ardhmen fëmijëve të tyre, të garantojnë mirëqenie për familjet e tyre, të garantojnë arsim të barabartë për fëmijët e tyre, të garantojnë shëndetësi të denjë për veten e tyre, të garantojnë një ekonomi të fortë, të garantojnë punë dhe mbi të gjitha të garantojnë siguri për të ardhmen e fëmijëve dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Protesta e ditës së nesërme është shumë e rëndësishme, sepse pjesëmarrja sa më e madhe e të gjithë njerëzve dhe njoftimi derë më derë i të gjithë komshinjve tanë, miqve tanë, familjarëve tanë, për të qenë pjesë e asaj proteste, sepse vetëm një pjesëmarrje madhështore do të shkundi nga themelet atë mentalitet të kalbur që ka ngelur në mendjen e Kryeministrit të ikur. Beteja jonë nesër nuk është as me uniformën e policisë, as me godinën e Kryeministrisë dhe as me godinat e shtetit shqiptar. Beteja jonë është me Ramën.

Të mos harrojmë që ata që vuajnë njëlloj si ne dhe si gjithë shqiptarët janë motrat dhe vëllezërit tanë që kanë gardhin rrethues që duhet të mbrojnë një kryeministër të ikur.

Të mos harrojmë që godina dhe dhuna që ushtrohet ndaj tyre përsëri paguhen me paratë e taksapaguesve tanë. Mos harrojmë që çdo dhunë nuk i jep vlerë protestës, por përkundrazi i jep rolin e viktimës Edi Ramës.

Edi Rama nuk është viktima. Viktima janë shqiptarët. Edi Rama është emri dhe fytyra e krimit të organizuar dhe beteja jonë e pandalur dhe pa asnjë kompromis, nuk është as me Partinë Socialiste, nuk është as me institucionet e shtetit shqiptar.

Beteja jonë është me krimin e organizuar, i cili ka fytyrën dhe emrin e Edi Ramës dhe kjo betejë nuk do të ndalet deri sa të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë.

Largimi i Edi Ramës do të sjellë përfundimisht largimin e tranzicionit shqiptar.

Sot më shumë se kurrë unë jam e bindur se jemi në rrugë të mbarë. Pse jemi në rrugë të mbarë? Jemi në rrugë të mbarë sepse besoj e mbani mend të gjithë që në 27 qershor të 2017-s vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të famshme të 25 qershorit, ish-kryetari i asaj kohe Petrit Vasili mbajti një konferencë për shtyp ku denoncoi krimin e organizuar që grabiste dhe dhunonte votat e shqiptarëve. Kur denoncoi që krimi i organizuar me paratë e trafikut të drogës bliheshin dhe intimidoheshin shqiptarët për të ndryshuar rezultatin në kutitë e votimit. Dhe sot ja ku jemi.

Vërtetë me një kosto shumë të madhe politike, shoqërore dhe ekonomike për Shqipërinë, sot ne jemi përballë një rrënoje e cila është në grahmat e saj të fundit, e cila po kërkon çdo ditë e më shumë sadopak oksigjen. Por ne e kemi vendosur, do ja heqim prizën.

Nuk ka më asnjë moment dhe asnjë kompromis me një njeri i cili jo vetëm që ka punuar dhe po punon për grupin e tij të klientëve prej pesë vetash, por përkundrazi ka varfëruar shqiptarët. Nuk ka kompromis me askënd i cili jo vetëm që premtoi 300 mijë vende të reja pune, por largoi 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria. I cili rriti taksat, rriti çmimin e energjisë elektrike, rriti faturën e ujit, rriti koston e jetesës për shqiptarët, ndërsa rrogat përkundrazi i la aty ku ishin, duke zhvlerësuar lekun shqiptar dhe duke u krijuar shqiptarëve një pasiguri shoqërore, ekonomike dhe duke mos iu garantuar atyre të ardhmen e fëmijëve.

Prandaj më lejoni që në emrin tuaj, nga kjo sallë t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, të gjithë vajzave shqiptarë dhe nënave shqiptare që nesër të jemi në protestë. Të jemi në protestë të gjitha duke protestuar jo si gratë që merremi me politikë por si nëna që do të protestojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, do të protestojmë për të ardhmen e Shqipërisë. Kushdo nga ne që bën kompromis në kurriz të të ardhmes së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre, nuk dot ë jetë gjë tjetër veçse tradhti kombëtare.

Prandaj të gjithë bashkë nesër në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në orën 19:00 , me dorën në zemër, me mendjen në Zot dhe duke u lutur për qëllimin tonë për të bërë Shqipërinë anëtare të BE.

Vetëm një protestë madhështore ku brenda saj ka të rinj dhe të reja, gra dhe burra, gjyshër që mbajnë prej dore nipërit e tyre, që protestojnë paqësisht, që protestojnë në formën më të bukur që është parë ndonjëherë në Shqipëri, do të jetë goditja më e madhe për fytyrën e krimit të organizuar dhe emrin e krimit të organizuar që është Edi Rama. Zoti ju ruajt ju, Zoti ruajt familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë.