Media amerikane: Një tjetër skandal shkund Edi Ramën, duke shtuar kështu thirrjet për dorëheqje!

Dr. Francesca Norton

(Artikull i botuar në citizentruth.org)

Bisedat tronditëse tregojnë shkallën e korrupsionit dhe përfshirjen e krimit të organizuar në qeverinë shqiptare.

Gazeta gjermane Bild, një nga gazetat më të rëndësishme dhe më të lexuara në Evropë, botoi gjashtë biseda të përgjuara me telefon të zhvilluara midis Astrit Avdylaj, anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare dhe zyrtarëve qeveritarë në rajonin e Durrësit.

Gjatë këtyre bisedave Avdylaj jo vetëm që duket shumë i afërt me kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe me zyrtarët e tjerë të lartë, por duket se ai është i lidhur me vetë kryeministrin Edi Rama, i cili përmendet në një nga bisedat. Opinioni publik shqiptar është shumë i tronditur. Një kriminel, bosi i një organizate kriminale ndërkombëtare të trafikimit të drogës, që i përcakton axhendën e ditës kryetarit të bashkisë, urdhëron zyrtarët e shtetit, ulet me kryeministrin, kontrollon votuesit dhe ndikon në zgjedhje, e gjitha kjo ishte shumë për t’u përtypur nga opinioni publik.

Këto biseda tregojnë qartë manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, përmes blerjes së votave, kërcënimeve dhe financimit kriminal të fushatës së Partisë Socialiste. Ato gjithashtu tregojnë se si krimi i organizuar ka ndikim dhe kontroll të drejtpërdrejtë mbi krerët e disa institucioneve të qeverisjes vendore në Shqipëri, të cilët ofrojnë favore dhe vendosin veten në dispozicion të plotë të bandave. Për më tepër, në një nga bisedat e publikuara nga Bild, tregohet se si Abdylaj emëron deputetët edhe në listën e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare.

Shqipëria është nën kontrollin e krimit të organizuar. Gjatë gjashtë viteve të qeverisë së Edi Ramës, skandalet që vendi ka përjetuar kanë qenë të shumta.

Gjatë qeverisë së tij, i gjithë vendi, në çdo cep të Shqipërisë, u përfshi në kultivimin e kanabisit që gjatë periudhës 2013-2016 shënoi vlerën e fitimit prej 5 miliardë eurosh. Para të cilat u përdorën për të blerë vota dhe për të ndërtuar një rrjet kriminal që mund të siguronte fitore të thella në cdo palë zgjedhje.

Gjatë qeverisë së Ramës, Ministri i Brendshëm i tij, Saimir Tahiri u vu nën hetim për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar. Krerët e policisë u përfshinë në trafik droge. Disa prej tyre janë ende në arrati dhe historia e tyre tronditëse për një vend që pretendon tek sundimi i ligjit u harrua me qëllim dhe tashmë konsiderohet si e shkuar e harruar.

Nën qeverisjen e Ramës, Aeroporti Ndërkombëtar u grabit dy herë dhe u vodhën me miliona euro, grabitje që shkaktuan rreziqe serioze për sigurinë kombëtare dhe rrezikuan një zonë strategjike të NATO-s.

Nën qeverinë e tij, një aeroplan i kontrabandës së kanabisit u rrëzua në Divjakë dhe një tjetër në Ishëm, vetëm 8 kilometra nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ku kontrabandistët e drogës kishin ndërtuar edhe një pistë aeroplani nën hundën e autoriteteve të cilat padyshim ishin të përfshira .

Ministra dhe zyrtarë të lartë të Edi Ramës janë akuzuar shpesh për korrupsion, favorizim dhe tendera që u janë dhënë vetëm një numri të vogël njerëzish dhe biznesesh. Sipas praktikës së re të Partneritetit Privat Publik, miliona euro u janë dhënë kompanive me llogari “offshore” ose sapo të krijuara vetëm për të përfituar tenderët. Me bekimin dhe favorizimet e qeverisë miliona euro të parave të taksapaguesve kanë bërë që disa individë të dyshimtë të bëhen shumë të pasur.

Nën qeverinë e Edi Ramës, gjyqësori është nën një kolaps total. Kjo duket se është një skemë e planifikuar mirë për të kontrolluar të gjitha pushtetett dhe për të siguruar një kontroll të përhershëm mbi vendin, ekonominë dhe zgjedhjet, si dhe për të intimiduar kundërshtarët politikë.

Nën justifikimin e reformës në drejtësi, Edi Rama ka emëruar të gjithë ndihmësit e tij dhe personat e lidhur me partinë e tij si drejtues të mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit të gjyqësorit. Prokurori i Përkohshëm i Përgjithshëm, një status që nuk është i bazuar në kushtetutën e Shqipërisë, u emërua vetëm nga votat e Partisë Socialiste.

Reagimi nga zyra e prokurorisë mbi publikimet e fundit të Bild ilustroi edhe më tej kontrollin që qeveria dhe madje krimi i organizuar ka mbi gjyqësorin. Menjëherë pas publikimit të bisedave, prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prenci lëshuan një urdhër për ndalimin e mediave për botimin e përgjimeve. Jo vetëm ky veprim ishte i paligjshëm dhe një shkelje e lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, por ilustron lidhjet që prokuroria ka me krimin e organizuar, sepse në të kaluarën ishin po këta të dy prokurorët që lejuan ekstradimin në Itali të Nezar Seitit në janar 25, 2018, në kundërshtim me nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Seiti ishte financiari i fisit Habilaj, klani i lidhur me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, qeveria e Edi Ramë ka bërë shumë hapa prapa. Parlamenti i Holandës votoi për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë dhe qeveria holandeze dërgoi një kërkesë zyrtare në Këshillin Evropian. Holanda, i njëjti vend, i cili ishte pionier i heqjes së vizave dhjetë vjet më parë, po i rikthen ato përsëri. Vende të tjera mund të pasojnë e të marrin të njëjtin vendim, dhe shumë shpejt shqiptarët mund të ndalohen nga udhëtimi i lirë në të gjithë zonën e BE. Qeveria e Ramës nuk duket aspak e shqetësuar për një perspektivë të tillë tragjike për popullin e saj.

Qeveria e Edi Ramës ka pasur kontroll edhe në organizatat e shoqërisë civile, drejtuesve dhe përfaqësuesve të të cilëve u janë dhënë anëtarësime në bordet e institucioneve publike si edhe favore të tjera. Në shumë sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, qeveria e tij duket se po ndjek një axhendë të qartë korrupsioni.

Mijëra studentë u mblodhën për të protestuar në rrugët e Tiranës. Protesta masive mbahen çdo javë nga partitë e opozitës duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe opinioni publik është tronditur nga përsëritja dhe seria e skandaleve të shumta të cilat tashmë janë bërë një modë për qeverinë e Ramës.

Çfarë skandali tjetër nevojitet që Rama të japë dorëheqjen, pyesin njerëzit?

Ditët në vijim janë vendimtare për të ardhmen e vendit i cili tashmë është në prag të një konflikti civil. Ka shumë arsye serioze përse kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen nga detyra. Jo vetëm skandalet e gjashtë viteve të fundit, por ka edhe shumë skandale të tjera që priten të bëhen publike shumë shpejt.

Gjatë gjashtë viteve të udhëheqjes së vendit, qeveria e Edi Ramës nuk mbahet mend për asgjë tjetër por vetëm si një qeveri skandalesh. Sa më shpejt ta pranojë Rama këtë fakt të pakëndshëm dhe të kuptojë situatën në të cilën ai gjendet, dhe lejon një qeveri tranzitore e cila do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, aq më mirë është për Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.