Mediat greke: Bushati i vendosi kushte Kotzias, ku gaboi Athina

Mediat greke pranë Demokracisë së Re kanë publikuar sot një artikull në të cilin i referohen intervistës së fundit të ish-ministrit të MEPJ, Ditmir Bushati.

Sipas gazetës greke Liberale Bushati i vendosi kushte Kotzias ne këmbim të mbështetjes se faktorit shqiptar për Marrëveshjen e Prespës, kushte të cilat ia doli ti realizonte.

Sipas kësaj gazete ndërhyrja në fjalë u bë ndërsa ishin në zhvillim paralel, bisedimet veçanërisht të ndjeshme midis Athinës dhe Tiranës, ku pala shqiptare e drejtuar nga Bushati përpiqej që të zhvlerësonte çështjet e minoritetit, të imponojë axhendën e vet për çështjen e rëndësishme të delimitimit të kufirit detar dhe të imponojë edhe në mënyrë të tërthortë, çështjen çame në rendin e ditës përball palës greke.

Mediat greke i janë rikthyer marrëdhënieve Shqipëri-Greqi dhe negociatave mes vendeve që kanë mbetur pezull, duke u shprehur se Athina zyrtare gaboi taktikisht me Shqipërinë, duke i diskutuar në një paketë të gjitha çështjet. Në një shkrim të Liberal.gr, thotë që “lëvizja e Athinës bëri që çështja e pronave të minoriteteve greke në Shqipëri të “njehësohen me pronat shqiptare në Greqi (ato që janë nën sekuestro) dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi”.

“Ndërsa Athina ka ofruar tashmë këmbime të prekshme për z. Rama si Vula Apostille (për njohjen e dokumenteve zyrtare dhe certifikatave shqiptare) dhe njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit, e vetmja gjë që mori është një gërmim dhe kërkim të parë për eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në frontin shqiptar, një proces ky që pas hetimeve fillestare, është decentralizuar. Duke bërë një gabim të madh taktik, Athina ra dakord që t’i ofrojë palës shqiptare për të negociuar të gjitha çështjet e ngritura nga të dy palët, në formën e një pakete, dhe kështu çështje të tilla si të drejtat dhe pronat e minoritetit kombëtar grek, njehsohen me pronat shqiptare në Greqi (ato që janë nën sekuestro) dhe të drejtat e… emigrantëve shqiptarë në Greqi”, thuhet në këtë shkrim.

Duke vënë theksin tek të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, media greke përmend dhe rastin e Fredi Bejlerit,  i cili nuk u lejua nga KQZ të kandidojë për Himarën. “Nuk është rastësi që Ministria e Jashtme shqiptare, në deklaratën e saj ku i përgjigjej Ministrisë së Jashtme greke që dënoi përpjekjet për përjashtimin nga zgjedhjet lokale të Himarës, Fredi Bejlerin, nxitoi për të njehsuar minoritetin kombëtar grek me emigrantët shqiptarë në Greqi”, thuhet në shkrimin e liberal.gr.

Media greke citon dhe një intervistë të ish ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhënë për albaniadailynevvs.com, ku ish shefi i diplomacisë shqiptare thotë se nuk është zgjidhur ende çështja e gjendjes së luftës dhe ajo e kufijve detarë dhe mendon se mund të ketë një zgjidhje së shpejti, por tani për tani pengesë mbeten zgjedhjet në Greqi.

Ndërkohë sipas kësaj medie, taktika tjetër e gabuar e Athinës ishte edhe dakordësia për të futur në paketën e diskutimeve, marrëveshjen e delimitimit të zonave detare, e cila megjithëse ishte nënshkruar edhe nga Qeveria shqiptare, u anulua pas një apelimi të opozitës së atëhershme dhe z. Rama, në Gjykatën Kushtetuese.

Pala greke, në një tjetër koncesion ndaj palës shqiptare, kishte rënë dakord për të diskutuar këtë çështje, kur shqiptarët vendosnin si kusht pranimin si bazë për diskutim, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas liberal.gr ishte përgatitur me nxitjen e Ankarasë dhe që miratonte të gjithë argumentet e Turqisë, që parashtrohen për Egjeun dhe Mesdheun Lindor.

Shkrimi përfundon me fjalët: “Kjo tablo sigurisht që është larg realitetit dhe vetëm sa komplikon përpjekjet e diplomacisë greke për të bindur rreth problemit të vërtetë që paraqitet në rajon nga qeveria Rama dhe nacionalizmi shqiptar që manifestohet edhe kundër Greqisë dhe veçanërisht kundër minoritetit kombëtar grek”.