Hajdari dhe Cunmulaj takim me vullnetarët: Varfëri ekstreme, populli ka nevojë për ne

Rëndësia e bamirësisë”, ishte ky qëllimi i një takimi të hapur midis modeles së mirënjohur Emina Cunmulaj, drejtuesit të “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdarit dhe dhjetëra vullnetarëve. Një bashkëbisedim për varfërinë në vendin tonë, vullnetarizmin dhe ndryshimin e mijëra jetëve në të gjithë Shqipërinë nga nismat e ndërmarra prej fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.

“Njerëzit në nevojë nuk kanë vetëm nevojë për shtëpi apo ushqime. Por, kanë nevojë edhe që dikush t’i afrohet, t’i përqafojë dhe t’i thotë që nuk jeni vetëm. Dhe që ju mund t’ia dilni. Ajo që ka bashkuar Eminën e shumë të tjerë që jeni këtu në sallë, ka qenë vetëm dëshira e mirë për mos t’i parë këto njerëz kështu. Dhe për t’i dhënë një mundësi që të jetojnë ndryshe.”

Cunmulaj e cila i është bashkuar fondacionit “Fundjavë Ndryshe” si anëtare e bordit prej vitit 2017, ka sjellë ndryshim në jetën e shumë familjeve në nevojë. Prej dy muajsh, ajo është zëvendës presidente e Fondacionit.

“Çdo herë që shkoj vizitoj një familje tjetër kam një emocion të ri. Populli im ka nevojë për mua, ka nevojë për ju më shumë se ndoshta edhe më parë. Sepse sot ka ardhur një kohë që luksi është diçka që të gjithë e duam. Por, ajo që është më elementare, buka për të ngrënë për disa njerëz është edhe më shumë nevojë.

Nuk është e thënë që duhet të ndërtoni një shtëpi, të gjithë duhet t’ia nisim diku. Kështu bashkohemi të gjithë. Ndoshta ju i sillni bukën e unë shtëpinë. Ndoshta ju i sillni ujin dhe Arbëri i sjell shtëpinë. Kjo është kryesorja që t’ia nisim diku.”

Pyetjet e vullnetarëve të ftuar në takim ishin mbi suksesin e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, vështirësitë. Eksperiencat personale dhe përse të gjithë duhet të bëjnë bamirësi.

U shokova një ditë kur lexova që në Shqipëri janë mbi 3 mijë organizata të formuara, në një vend kaq të vogël. Por, asnjëra nuk e pati suksesin e “Fundjavë Ndryshe”. Cili ishte çelësi i suksesit?

“Unë kam qenë me të njëjtin mendim se në Shqipëri ka një numër të madh organizatash, pasi jemi një vend i vogël. Kam ndryshuar mendim dhe them që kush ka fuqi le të punojë e ta ngrejë një organizatë. Por, problemi nuk është te organizatat. Problemi është te sistemi i krijuar, pasi këtu nuk ka kontroll mbi këto organizata. Dhe deri para tre vitesh, pavarësisht se unë e kam thënë këtë gjë në media e më është prerë; në Shqipëri ka abuzime të papara. Ndaj i kam thënë njerëzve mos dhuroni kudo. Ose edhe nëse dhuroni i shkoni mbrapa asaj që jepni. Çelësi i transparencës së Fundjavës, ishte të merrnim njerëzit e t’i çonim të shihnin me sytë e vetë kushtet e familjeve në nevojë”, tha drejtuesi i Fondacionit Arbër Hajdari.

Cila ka qenë sfida më e madhe dhe si ndikon te njerëzit bërja publike e veprave të mira?

“Si mund të hyjë unë në shtëpi pasi kam parë një familje në atë gjendje?! Si mund të jem unë rehat?! Nuk e di nëse është sfidë, por është një ndjejë që nuk më lë rehat dhe më shtyn më tej. Është e pabesueshme se çfarë ekziston jashtë qyteteve të Shqipërisë, jo larg prej shtëpisë tënde.

Nuk është e thënë që vetëm të bësh mirë dhe të mos e tregosh. Se ti si person e ke për detyrë ta inspirosh dikë tjetër. I cili ndoshta nuk e ka shumë në karakter të bëjë mirë”, përgjigjet Cunmulaj.

Ndërkohë, Hajdari u shpreh se bërja publike ka sjellë vetëm mirë. Si edhe ka rritur më tepër ndërgjegjësimin për një çështje të harruar dhe për një grup shoqëror vulnerabël.

“Në këto tre vite aktivitet që kur ne shtruam një pëlhurë të madhe dhe i thamë njerëzve në mënyrë publike që duhet të dhurojmë. Sepse ka një numër të madh njerëzish që nuk kanë as ushqim për të ngrënë. Dhe në këtë pëlhurën që ne shtruam u grumbulluan një sasi shumë e madhe gjërash që tregon se çfarë është bërë. Nuk ka njeri që të dalë dhe të thotë që jo kjo është e gabuar apo nuk na ka inspiruar. Kur ka dëshira të mira dhe gjërat bëhen transparente gjëja ecën. Ashtu siç ka ecur Fundjava apo shumë lëvizje të tjera që mund të kenë ecur.”

A mendoni se “Fundjava Ndryshe” ka bërë më shumë se çfarë ka bërë qeveria dhe sistemi gjithë këto kohë?

“Padyshim që ka bërë më shumë. Por, ajo që mendoj unë është se nuk ka fare sistem në Shqipëri, sidomos për çështjet sociale. Kemi një grup njerëzish që sillen e përdridhen. Por, prapë nuk mendoj se kjo është zgjidhja te sistemi që ne kemi krijuar. Pasi shteti është shtet, shteti është ai babai dhe rregullatori i madh i një familje të madhe. Prandaj unë mendoj se nëse shteti do të donte të merrte këtë strategjinë e “Fundjavë Ndryshe” dhe ta kalonte në një nivel tjetër.

Kjo gjë do të kishte ecur me hapa më të mëdhenj. Shteti ka lekë, nuk është se nuk ka. Por, unë mendoj se më shumë se çështje monetare, ka të bëjë me vullnetin. Nuk ka vullnet për tu bërë gjëra të mira. Jam i sigurt që një grup i madh njerëzish që e kanë dëmtuar këtë vend aq shumë do t’iu vijë fundi. Sepse Shqipëria ka shumë njerëz të mirë që nuk e meritojnë të vuajnë kështu.”

Pas përfundimit të aktivitetit, Cunmulaj dhe Hajdari shtruan iftarin e fundit të muajit të Ramazanit për disa familje në nevojë./ TIRANATODAY