Neglizhenca e shtetit/ Të dëmtuarit nga tërmetet e humbasin durimin – Sherr dhe grushta me punonjësit

Banorët e prekur nga tërmeti në fshatin Floq u përfshinë në debate me prefektin e Korçës për mungesën e kushteve jetike sipas tyre, ndërsa goditën një punonjës sipas tyre për shkak të një ofendimi që ai u kishte bërë.  Janë më shumë se 160 banorë vetëm në këtë fshat që ankohen për trajtimin e gjendjes së krijuar pas tërmetit që u shkatërroi shtëpitë. Ndaj ata kërkojnë shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Indinjatën me fjalë për kushtet në të cilat po jetojnë këto ditë të vështira pas tërmetit që i la të pastrehë, banorët e Floqit ia shprehën prefektit të Korçës. Zemërimin e shfrynë me grushte mbi një punonjës të ndërmarrjes së shërbimit.

Shkak për këtë akt janë bërë artikulimet dhe sjellja e mëhershme e këtij personi teksa u përgjigjej ankesave të banorëve në çadra për mungesën e ushqimit dhe kushteve.

Përballë ankesave të banorëve, prefekti i Korçës, Dhori Spirollari u ka kërkuar gazetarëve që po raportonin situatën që të fikin kamerat.

Mbi 160 banorë të Floqit kaluan në këto çadra natën e dytë për të cilën thanë se ishte e vështirë për shkak të reshjeve të shiut.

Fëmijë e të moshuar thonë se gdhinë të mbështjellë me batanije në kushte sipas tyre të vështira dhe gjendje të rënduar për atë që do të ndodhë të nesërmen.

Ndaj kërkojnë shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në zonë, çka edhe do tu siguronte kompensim të plotë për dëmet.

Në rast të kundër kishin edhe një paralajmërim:

“Këto çadra do t’i ngremë në prefekturë”

Kërkesën e mbështetën edhe përfaqësuesit e opozitës.

Ervin Salianji: Nuk kërkon asnjë nga banorët lëmoshë. I paguajnë taksat shtetit dhe kërkojnë që shteti sot të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe tju rindërtojë shtëpitë ose t’i dëmshpërblejë që të bëjnë banesat nga fillimi. Është e papranueshme dhe keni bërë shumë mirë që keni përzënë edhe Spiropalin dhe Peleshin, nuk ka nevojë për shou. Ne kërkojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo është një tallje, të ngresh këtu kasollet e begëtive që janë edhe më të mira. Kjo është një qeveri që nuk i interesojnë njerëzit. Ja ku i ka futur. Bashkë ata janë tek Sofra kolonjare duke ngrënë e duke pirë e duke kënduar. Këta pas çdo fatkeqësie gjejnë ndonjë gjë si të vjedhin. Mos i pranonin, kërkojuni tju rindërtojnë shtëpitë një më një, prandaj i paguani taksat. Mos vijnë për shou gjasme lotojnë apo gjasme ju bie rimeli. I bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të krijohet mundësia që mos i lënë banorët të jetojnë në këto kushte. Por të gjejnë kushte dinjitoze, qoftë edhe në hotele në Korçë dhe të japë siguri që do të rindërtohet banesat nga fillimi. 

Nëntoka e Korçës ende nuk ka gjetur qetësi pasi lëkundjet sizmike vijojnë të mbajnë në frikë e panik banorët e juglindjes.