Kreu i OSBE-së: Dhuna i mbyll rrugën dialogut

Ministri i jashtëm i mandatuar Gent Cakaj dhe ministri i jashtëm sllovak Miroslav Lajcak, i cili mban edhe kreun e OSBE-së, u takuan sot në Tiranë. Në konferencën për shtyp, ministri Cakaj deklaroi se palët diskutuan mes të tjerave për mundësinë e hapjes së negociatave për Shqipërinë, që për Lajçak është një domosdoshmëri strategjike. Gjithashtu, ngërçi politik në Tiranë nuk mund të mos prekej, dhe Cakaj ka siguruar homologun se “agjenda pozitive e Shqipërisë do të vazhdojë pavarësisht sjelljeve të dhunshme që zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen rregullisht”.

Lajçak shprehu mbështetjen e Sllovakisë në procesin e integrimi të vendit dhe nënvizoi faktin se takimi kishte edhe funksionin e lehtësimit të kalimit të pozicionit të kreut të OSBE-së nga Sllovakia tek Shqipëria, gjë që do të ndodhë në janarin e vitit të ardhshëm, një përgjegjësi sipas tij aspak e lehte dhe që do të tregojë “cilësinë e lidershipit të politikës shqiptare”.

Për situatën politike në vend, Lajçak nënvizoi se “diferencat e qëndrimit politik duhen diskutuar në Parlament”, se “dhuna e ushtruar nga disa protestues është shqetësuese” dhe se “protestat nuk janë një zëvendësim i angazhimit të politikës demokratike, në të kundërt i mbyllin rrugën mundësisë së dialogut”, duke cënuar progresin e vendit. Ministri sllovak përmendi edhe sulmet në drejtim të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri Borchardt, duke i cilësuar ato si të papranueshme.